Fasonët nën “presion” nga rënia e euros – Eksportet e tekstileve dhe këpucëve vazhdojnë të përjetojnë tkurrje të ndjeshme
Xhorxhina Deda/SCAN
Rënia e monedhës së përbashkët europiane pati të fituar, por edhe të humbur, ku kryesisht më të humburit janë ekportuesit në sektorin fason. Industria e fasonerisë po përballet me sfida të shumta, përfshirë rritjen e kostove dhe zhvlerësimin e euros, që ul të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë.
Kjo është e dukshme sidomos në të dhënat e tregtisë së jashtme, ku për disa muaj me radhë ndikimin më të madh në rënien e ekporteve e ka pikërisht grupi i tekstileve dhe këpucëve. Shifrat evidentojnë qartë se ky sektor ka treguar një tendencë rënëse për një periudhë të gjatë kohore.
Eksportet shqiptare, gjatë periudhës Janar-Shtator të këtij vitit ranë me 14.2%, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 6.0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 5.1 pikë përqindje dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 1.5 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Produkte kimike dhe plastike” me 0.04 pikë përqindje.
“Scan Intel” është ndalur në ndryshimin vjetor të këtyre grupeve për të parë se si ka qenë ecuria e tekstileve dhe këpucëve. Rënia vjetore e ekporteve në vlerë për këtë grup sa i përket periudhës nëntëmujore vlerësohet në 17.7%. Rënie po ashtu regjistrojnë edhe në volum, pra në peshë, më një vlerë prej 12%, krahasuar me nëntë muajt e vitit 2023.
Përgjatë periudhës Janar-Shtator të këtij viti, eksportet e tekstileve dhe këpucëve arritën vlerën e 78.9 miliardë lekëve, nga rreth 96 miliardë që ka qenë në vitin 2023.
Nëse shohim të dhënat mujore që nga Janari i vitit 2021, vihet re rënia e ekporteve për këtë grup, për të arritur në 8.8 miliardë lekë në muajin shtator të këtij viti.
Ndër të tjera, janë marrë në analizë edhe kapitujt kryesorë të këtij grupi. Me rritje të eksporteve përgjatë nëntë muajve paraqiten vetëm mëndafshi, veshjet e kokës dhe filamentet e bëra nga njerëzit. Ndërkohë, rënie kanë shënuar të gjithë kapitujt e tjerë ku veçojmë fibrat tekstile, qilimet, pëlhurat etj.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.