Zhvillohet në Bruksel takimi i 15-të i Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet!
SCAN
Shqipëria dhe Bashkimi Europian zhvilluan në Bruksel takimin e 15-të të Nënkomitetit “Për Tregtinë, Industrinë, Doganat Dhe Tatimet”.
Gjatë këtij takimi dy ditor, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Genti Gazheli, i cili drejton delegacionin shqiptar, u shpreh se Shqipëria ka një kuadër ligjor në shkallë tejet të lartë të përputhur me legjislacionin evropian dhe mbetet thellësisht e angazhuar për përafrimin e plotë me “acquis communitaire” në fushën e doganave.
Përfaqësuesit e Komisionit Europian vlerësuan pozitivisht progresin e Shqipërisë, veçanërisht të Administratës Doganore Shqiptare sa i përket nivelit të përgatitjes ligjore, institucionale e administrative.
Në takim u vlerësua gjithashtu fakti se gjatë këtij viti që përkon me çeljen e negociatave të kapitujve themelorë të integrimit të Shqipërisë në BE, Doganat kanë përparuar në lehtësimin e tregtisë, implementimin e Strategjisë së Biznesit të Administratës Doganore Shqiptare (2023-2027) si dhe dispozita të tjera të tilla, si ato për kontrollin doganor të mallrave të falsifikuara, apo ndihmën e ndërsjellë administrative në çështjet doganore.
Përfaqësuesit e DG TAXUD vlerësuan reformat e ndërmarra nga Administrata Doganore. Zhvillimi i Sistemit të Ri të Kompiuterizuar të Tranzitit – NCTS është një tjetër zhvillim pozitiv për Administratën Doganore Shqiptare. Dogana Shqiptare ka vijuar bashkëpunimin me partnerët me qëllim goditjen e shkeljeve doganore, në bazë të marrëveshjeve dypalëshe me të gjitha doganat homologe.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, ka vijuar koordinimi dhe bashkëpunimi i suksesshëm edhe me Qendrën për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore SELEC. Dogana shqiptare është po ashtu pjesë e Projektit Adriacustoms e financuar nga OLAF.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.