Fluturimet ajrore do rriten me 10% në 2024-ën Balluku: Shumë shpejt, hapim garën ndërkombëtare për aeroportin e Gjirokastrës
Fluturimet ajrore parashikohet të rriten me 10% gjatë vitit 2024, në raport me një vit më parë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku teksa foli në Kuvend për ndryshimet e Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar tha se tendenca në rritje e fluturimeve do të vijojë edhe këtë vit, duke theksuar se shkak është shtimi i kompanive ajrore dhe destinacioneve që ato ofrojnë.
“Trafiku ajror në territorin e Shqipërisë ka një rritje progresive. Numri i fluturimeve parashikohet të rritet gjatë vitit 2024 me 10% krahasuar më vitin 2023 dhe 55% krahasuar me 2019-ën, si viti i fundit normal para pandemisë. Në vitin 2023 trafiku ajror shfaqi rritje dhe tejkalim të fluturimeve, krahasuar me vitet paraardhëse, duke e renditur Shqipërinë në vend të parë në Europë për rikuperim të trafikut”, – tha Balluku.
Balluku tha se shumë shpejt do të hapet edhe gara ndërkombëtare për aeroportin e Gjirokastrës.
“Shumë shpejt do të nisim procedurat për garën ndërkombëtare dhe më pas për ndërtimin e aeroportit të Gjirokastrës duke e bërë vendin tonë me katër aeroporte ndërkombëtare të shtrirë nga veriu dhe deri në skajin jugor të saj”, – tha ministrja.
Ndërkaq, sipas Ballukut, në pranverën e vitin 2025 parashikohet të vihet në funksion aeroporti i Vlorës, teksa punimet pritet të mbyllen në fund të këtij viti.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.