Forcimi i Dollarit rrëzon naftën – Humbjet kufizohen nga parashikimi i OPEC për rritjen e kërkesës
Nafta ka vijuar tendencën në rënie edhe në sesionin e sotëm, kryesisht për shkak të forcimit të dollarit amerikan. Por, parashikimet e OPEC se kërkesa për naftë do të rritet ndjeshëm kanë kufizuar humbjet, që erdhën si pasojë e rritje së inflacionit në SHBA dhe shtimit të mundësive të Rezerva Federale të rrisë normën bazë të interesit me 1 pikë të plotë përqindje.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 92 dollarë, ndërsa në sesionin e kaluar ra me rreth 1%.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 86 dollarë për fuçi. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, njoftoi të martën se parashikon një rritje të kërkesës për naftë gjatë 2022 dhe 2023, duke situar si arsye kryesore performancën e mirë të ekonomive më të mëdha në botë, pavarësisht inflacionit të lartë.
Sipas OPEC, kërkesa për naftë do të rritet me 3.1 milionë fuçi në ditë, gjatë këtij viti dhe me 2.7 milionë fuçi në ditë, gjatë vitit 2023. Çmimet po gjejnë një mbështjetje edhe nga raportimet se administrata Biden në SHBA po konsideron mbushjen e rezervave strategjike me naftë.
Përsa i përket të dhënave të tjera, rezervat e naftës bruto në SHBA u rritën me 6 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 9 shtator, sipas të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës. Gjithsesi, investitorët po presin të dhënat zyrtare që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme nga Administrata për Informimin mbi Energjinë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.