Inflacioni në SHBA mbështet Dollarin – Analistët vlerësojnë se FED do të rrisë normën e interesit me 100 pikë bazë!
Dollari amerikan është ngjitur në nivelin më të lartë në 24 muajt e fundit përballë jenit japonez, ndërsa monedha e përbashkët europiane, euro, ka rënë poshtë nivelit të paritetit.
Monedha e gjelbër është mbështetur nga të dhënat mbi inflacionin në SHBA, që u rrit me 8.3% me bazë vjetore gjatë gushtit, dhe ka shtuar mundësitë që Rezerva Federale të ndjekë një politikë monetare më agresive, në takimin e javës së ardhshme.
Dollari u rrit pranë 145 jen, që është niveli më i lartë që nga gushti i vitit 1998. Tashmë, analistët parashikojnë se ka 37% mundësi që Rezerva Federale të rrisë me një pikë të plotë normën bazë të interesit në takimin e 21 shtatorit. Edhe ekonomistët e Nomura vlerësojnë se rritja e normës bazë të interesit me 100 pikë bazë është mëse e mundur.
Indeksi i dollarit amerikan, që mat ecurinë e monedhës së gjelbër përballë monedhave kryesore ndërkombëtare, është ngjitur në rreth 109.7, pas rritjes me 1.4% në sesionin e kaluar, fitimet më të mëdha ditore që nga marsi i vitit 2020. Euro po tregtohet poshtë, por pranë nivelit të paritetit, ndërsa në sesionin e kaluar ra me 1.52%.
Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin ka rënë ndjeshëm drejt nivelit të 20 mijë dollarëve, pasi një ditë më parë humbi rreth 10% të vlerës.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.