“Gazet serrë, nivele rekord në vitin 2023” – Sipas OKB, politikat aktuale nuk përmbushin dot objektivat klimatike të 2030
Kristi Ceta/SCAN
Gazet serrë arritën nivele rekord në vitin 2023, duke shkaktuar rritje të temperaturave për vitet në vijim, tha organi i monitorimit të motit i OKB-së.
Sipas buletinit të gazit serrë të Organizatës Botërore Meteorologjike, dioksidi i karbonit po grumbullohet në atmosferë më shpejt se në çdo kohë gjatë ekzistencës njerëzore. Përqendrimet janë rritur me 11.4 për qind në vetëm dy dekada.
Rritja e CO2 në atmosferë në vitin 2023 ishte më e lartë se në 2022, por më e ulët se tre vitet para kësaj. Ishte rritja e dytë më e madhe vjetore e dekadës së fundit. Zjarret e mëdha dhe një reduktim i mundshëm i karbonit të përthithur nga pyjet, të kombinuara me emetimet e larta të CO2 nga aktiviteti njerëzor kanë nxitur këtë rritje.
Organizata thotë se përqendrimet mesatare globale sipërfaqësore të gazeve CO2, metanit dhe oksidit të azotit u rritën të gjitha në vitin 2023. Përqendrimet e CO2 arritën në 151 për qind të niveleve paraindustriale, metani 265 për qind dhe oksidi i azotit 125 për qind.
Lajmi vjen përpara samitit të klimës COP29 në Baku, Azerbajxhan që do të mbahet muajin e ardhshëm. Sekretari i përgjithshëm i Organizatës Meteorologjike, ngre alarmin për vendimmarrësit.
“Ne jemi qartësisht jashtë rrugës për të përmbushur objektivin e Marrëveshjes së Parisit për kufizimin e ngrohjes globale në 1.5°C mbi nivelet paraindustriale. Këto janë më shumë sesa thjesht statistika. Çdo rritje e temperaturës ka një ndikim real në jetën dhe planetin tone,” u shpreh ai.
Sipas të dhënave të OKB-së, politikat kombëtare të shteteve për të ulur emetimet e gazeve serrë nuk janë të mjaftueshme për të kufizuar ngrohjen globale.
Për të realizuar Marrëveshjen e Parisit, që synon kufizimin e ngrohjes në 1.5C, emetimet duhet të ulen me 43 për qind deri në vitin 2030. Politikat aktuale do të shihnin uljen e emetimeve globale me 51.5 gigatonë CO2 deri në fund të dekadës, vetëm 2.6 për qind më pak se sa ishin në 2019.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.