Greqia vendos taksa për qiratë afatshkurtra – Rreth 170 mijë prona në vend preken nga rregulli i ri
Ministria greke e Ekonomisë dhe Financave do të vendosë një tarifë akomodimi për 170 mijë pronat që janë aktive në sektorin e qirave afatshkurtra, si dhe tatimin mbi vlerën e shtuar -TVSH për ata pronarë-administratorë që kanë tre ose më shumë prona. Plani i ministrisë pritet të dorëzohet së shpejti në parlament.
Në rast se një pallat i tërë shfrytëzohet nga qiratë afatshkurtra, pronari duhet të vazhdojë ta shndërrojë atë në akomodim turistik. Kjo do të thotë se do të duhet të marrë një licencë përkatëse nga Ministria e Turizmit, duke përmbushur termat dhe kushtet që zbatohen aktualisht për akomodimin turistik.
Ministria e Financave sqaroi se po krijohet një kombinim ndërhyrjesh me synimin për të përballuar konkurrencën e pandershme me hotelet, por edhe me efektet negative dytësore në tregun e pasurive të paluajtshme dhe qiratë. Gjithësesi zhvillimi i qirave afatshkurtra, të cilat janë një burim i rëndësishëm të ardhurash për mijëra pronarë, nuk do të preket.
Nga tarifa e akomodimit, shteti grek potencialisht mund të arkëtojë më shumë se 38 milionë euro, pasi në bazë të shifrave më të fundit natëqëndrimet muajin e kaluar arritën në 25.5 milionë. Tarifa ditore e akomodimit do të jetë 1.5 euro.
Në të njëjtën kohë, TVSH do të vendoset për ata pronarë që marrin me qira tre ose më shumë asete përmes platformave. Kjo do të thotë se ata do të duhet të vazhdojnë me fillimin e një aktiviteti profesional. Përveç kësaj, ata do të paguajnë një tarifë për qëndrim të përkohshëm.
Sipas të dhënave të ministrisë, 168.819 prona që u përkasin 107.719 individëve dhe korporatave janë të regjistruara në Regjistrin e Pronave të Akomodimit Afatshkurtër të Autoritetit të Pavarur të të Ardhurave Publike.
Dorina Kirtaj / SAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.