Hyn në fuqi ligji i BE-së për Inteligjencën artificiale – Kufizimet dhe kërkesat ndaj kompanive të sektorit
Kristi Ceta / SCAN
Ligji i Bashkimit Europian për inteligjencën artificiale është në fuqi që nga e enjtja e 1 gushtit. Ai do të zbatohet për çdo sistem që ka hyrë në funksion apo që është ende në zhvillim. Ligji konsiderohet si legjislacioni i parë në botë që përpiqet të rregullojë IA bazuar në rreziqet që ajo paraqet.
Ligjvënësit e miratuan legjislacionin në mars, por publikimi në gazetën zyrtare të Komisionit Evropian për hyrjen e tij në fuqi u realizua në korrik. Duke filluar nga 1 gushti kompanitë që përdorin IA mund të njihen me legjislacionin e ri dhe mund të përshtaten me të.
Ligji i BE-së për IA cakton rregulla për çdo kompani që përdor sistemet e inteligjencës artificiale bazuar në katër nivele rreziku, të cilat nga ana tjetër përcaktojnë se cilat afate kohore zbatohen për to. Katër llojet e rrezikut janë: pa rrezik, rrezik minimal, rrezik i lartë dhe sistemet e ndaluara të IA.
BE-ja do të ndalojë plotësisht disa praktika duke filluar nga shkurti i vitit 2025. Kjo përfshin ato që manipulojnë vendimmarrjen e një përdoruesi ose zgjerojnë bazat e të dhënave të njohjes së fytyrës. Sisteme të tjera të inteligjencës artificiale që përcaktohen me rrezik të lartë, si IA që mbledhin të dhëna biometrike dhe ato të përdorura për vendimet e infrastrukturës kritike ose punësimit, do të kenë rregulloret më të rrepta për t’u ndjekur. Këto kompani do të duhet të tregojnë grupet e tyre të të dhënave të trajnimit të inteligjencës artificiale dhe të ofrojnë prova të mbikëqyrjes njerëzore.
Rreth 85% e kompanive të IA hyjnë në kategorinë e “rrezikut minimal” me shumë pak ndryshime të kërkuara, sipas Komisionit Evropian. Kompanitë mund të konsiderojnë krijimin e bordeve të brendshme të qeverisjes së inteligjencës artificiale, me ekspertë ligjorë, të teknologjisë dhe sigurisë për të bërë një kontroll të plotë të teknologjive që përdoren dhe si duhet t’i përmbahen ligjit të ri.
Nëse një kompani zbulohet se nuk është në përputhje me ligjin brenda afateve të ndryshme, ajo mund të përballet me një gjobë deri në 7% të qarkullimit të saj vjetor global. Zyra e Komisionit për inteligjencën artificiale do të mbikëqyrë ndjekjen e rregullave për modelet e IA.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.