Ibrahimaj në takim me Misionin e FMN-së: MFE po punon për hartimin e buxhetit të vitit 2023!
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi, të martën, takimin hapës me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjatë cilit informoi shkurtimisht mbi ecurinë ekonomike të vendit në kontekstin e ri të krijuar nga efektet e krizës energjetike dhe konflikti ushtarak në Rusi-Ukrainë, si dhe me masat e marra nga Qeveria për përballimin e efekteve të saj, ndërsa nga shefja e misionit, Yan Sun, u prezantuan fushat kryesore ku do të fokusohet misioni.
Gjatë këtij takimi, Ministrja Ibrahimaj, shprehu anagazhimin e Qeverisë dhe MFE-se për të ruajtur parametrat makroekonomik dhe vijuar konsolidimin fiskal, edhe pse rritja e çmimeve në tregjet globale ka dhënë efektet edhe në ekonominë shqiptare.
Ministrja informoi se MFE është duke punuar për hartimin e buxhetit të vitit 2023 dhe për kuadrin makro fiskal afatmesëm, përfshirë edhe pritshmëritë për mbylljen e vitin 2022.
Sipas njoftimit Sun u shpreh se disa prej fushave kryesore ku do përqendrohet misioni do të jenë analiza dhe perspektiva e treguesve makroekonomikë, fiskalë, monetare, financiarë, e të tjerë dhe projeksionet për to, do analizojë, vlerësojë dhe rekomandojë mbi objektivat e politikave fiskale, monetare, makro-prudenciale, e të tjerë, do analizojë planet fiskale dhe buxhetore të qeverisë, performancën e vitit 2022, financimin buxhetor, draft-buxhetin 2023 dhe plan-buxhetin afat mesëm, reformat strukturore, risqet, etj.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.