Ishulli i plastikës në Paqësor – Kush e ushqen atë?!
Për herë të parë, studiuesit nga organizata jofitimprurëse The Ocean Cleanup kanë qenë në gjendje të gjurmojnë origjinën e pjesëve më të mëdha që përbëjnë ishullin e madh të plastikë të Paqësorit (në anglisht Great Pacific Garbage Patch GPGP). Rezultatet flasin vetë: të paktën dy të tretat e 80,000 tonë mbeturinave të ishullit janë mbetjet peshkimi si rrjeta, kovave, bova, kanoçe dhe shumë të tjera. Vendet kryesore ndotëse, pothuajse të barabarta, janë Kina dhe Japonia, të ndjekura nga Korea, SHBA dhe Tajvani.
Analiza u krye në mbi 6000 fragmente plastike më të mëdha se 5 centimetra të mbledhura në vitin 2019 nga System 001/B, një sistem pastrimi i projektuar nga The Ocean Cleanup. Studiuesit kanë identifikuar vendin e origjinës duke kërkuar të dhëna të tilla si logoja e kompanisë, gjuha e përdorur në shkrim, një adresë ose një numër telefoni.
Nuk ishte e mundur të kuptohej prejardhja e rreth një të tretës së fragmenteve. 34% e objekteve të identifikuara ishin me origjinë japoneze, 32% kineze, 10% koreane dhe 7% amerikane. Këto të dhëna mahnitën ekspertët, sidomos për mungesën e disa vendeve si Filipinet, lumenjtë e të cilëve vuajnë shumë nga ndotja plastike që derdhet në oqean. Çfarë ndodh, atëherë, me fragmentet nga kontinenti?
Për të zbuluar, studiuesit krahasuan rezultatet e dy simulimeve: i pari gjurmoi jetën e grimcave plastike të lëshuara nga lumenjtë në oqean, duke simuluar shpërndarjen e tyre në ujë gjatë shtatë viteve; i dyti analizoi rrugën e grimcave plastike të lidhura me aktivitetet e peshkimit, të cilat shpesh nuk arrijnë kurrë në bregdet.
Rezultatet treguan se mbeturinat plastike që rezultojnë nga peshkimi kanë dy deri në dhjetë herë më shumë shanse për të arritur në ishullin plastik sesa fragmentet nga lumenjtë: kjo shpjegon pse, pavarësisht nga fakti se lumenjtë e marrin pjesën më të madhe të plastikës që derdhet në oqeane, kjo nuk grumbullohet në zonën e mbeturinave të Paqësorit të Madh.
The Ocean Cleanup synon të pastrojë oqeanin nga 90% e plastikës që noton në sipërfaqe deri në vitin 2040 – një qëllim ambicioz që do të kërkojë një investim prej rreth 1 miliard euro. Të jesh në gjendje të identifikosh origjinën e plastikës GPGP është e një rëndësie jetike: “Identifikimi i burimeve të ndotjes është baza për zbatimin e masave të duhura zbutëse dhe në këtë mënyrë reduktimin e lëshimeve të ardhshme të plastikës në oqean,” përfundojnë studiuesit.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.