Kapitalet private, në “arrati” – Më pak teknologji nga perëndimi. Sanksionet godasin ekonominë e Rusisë
Ekonomisë ruse do i duhet kohë deri në vitin 2030 për t’u rikthyer në nivelin e prodhimit para luftës në Ukrainë. Ky është përfundimi i ekspertëve të agjencisë “Scope Ratings”, në përditësimin e fundit mbi situatën ekonomike në vendin e Vladimir Putin. Brenda vitit 2023, PBB-ja e Rusisë do të jetë 8% më e ulët në krahasim me vitin 2021. Një rënie gjithësesi më pak drastike nga ajo që pritej, por në kontrast të qartë me rritjen ekonomike të vendeve të G20-ës.
Ajo që shkaktoi tërheqjen ekonomike është një seri faktorësh, fillimisht të lidhur me luftën në Ukrainë, pas pushtimit nga Moska në 24 shkurt të këtij viti, por dhe pasojat e sanksioneve të vendosura nga perëndimi. I pari nga këta faktorë ka të bëjë me përshpejtimin e daljeve të kapitalit nga ekonomia. Në mënyrë të vecantë duke iu referuar të dhënave të “Scope Rating” daljet e kapitaleve private janë rritur, në vlerë neto, 64.2 miliardë dollarë në tremujorin e parë të vitit 2022. Pothuajse katër herë më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë.
Ndërkohë banka qendrore e Rusisë në muajin korrik publikoi vlerësimet paraprake për suficitin e llogarive rrjedhëse të regjistruar në gjysmën e parë të vitit: 138.5 miliardë dollarë, një shifër tre herë e gjysmë më e lartë se shifra e gjysmës së parë të 2021-shit, kryesisht falë rritjes së të ardhurave nga eksportet e energjisë dhe lëndëve të para, duke filluar nga gazi dhe nafta. Aktualisht pritet që sektori privat të tërheqë më shumë kapital nga Rusia këtë vit sesa në 2014-ën, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe daljet ishin shumë të larta: deri në 152 miliardë dollarë.
Sipas analizës së “Scope Ratings”, transformimi i modelit të Rusisë për të ruajtur një izolim gjithnjë e më të madh ekonomik për një në afat të gjatë, do të kërkojë një proçes reformash, me synimin për të shkurtuar varësinë e fortë nga sektori i mallrave. Këto reforma “do të duhet të zvogëlojnë rolin e shtetit në ekonomi duke promovuar sektorin privat”.
Aktualisht vlerësohet se një e treta e PBB-së dhe gjysma e punëtorëve i atribuohen shtetit rus. Një varësi ekonomike e cila, siç thekson në analizën e saj agjencia europiane e vlerësimit, ka dekurajuar investimet private, duke rënduar produktivitetin dhe joefikasitetin. Në këtë kontekst, ndërsa sanksionet janë ashpërsuar që nga viti 2014, investimet e huaja direkte kanë rënë. Dhe importet gjithashtu kanë rënë që nga shkurti, veçanërisht ato të mallrave të teknologjisë së lartë që vijnë nga ekonomitë më të përparuara.
Rusia është shumë e varur nga importet e komponentëve për makineri dhe pajisje elektronike, makina kompjuterike dhe mallra nga industria farmaceutike. Vlera e shtuar e ardhur nga jashtë kalon nivelin prej 50% dhe rreth gjysma vjen nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Japonia. Një një sasi kaq e madhe sa që nuk mund të zëvendësohet lehtë me importe kineze apo alternativa vendase. Me pak fjalë, për Rusinë, kjo është një panoramë ekonomike komplekse për t’u menaxhuar. Gjithashtu vendi po përballet dhe më një rënie demografike të konsiderueshme.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.