Gjermania konsideron shtetëzimin e një tjetër importuesi të madh gazi!
Pas shtetëzimit të gjigantit të gazit Uniper në fillim të javës, qeveria gjermane konfirmoi se po konsideronte marrjen e SEFE, degës gjermane të gjigantit energjetik të Rusisë Gazprom.
Planet për të shtetëzuar SEFE-në u raportuan fillimisht në revistën gjermane të lajmeve Der Spiegel. Më vonë, një zëdhënëse e Ministrit të Ekonomisë Robert Habeck tha se bisedimet e qeverisë për të ardhmen e kompanisë janë në vazhdim.
Në qershor, qeveria vendosi Gazprom Germania, siç njihej atëherë, në administrim afatgjatë dhe i dha asaj një hua deri në 10 miliardë euro (10.4 miliardë dollarë) për të shpëtuar kompaninë nga falimentimi. Kompania u mor nën administrim të përkohshëm pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Me asete dhe filiale në Gjermani, Britani, Zvicër, Belgjikë, Republikën Çeke dhe jashtë Europës, aktivitetet e firmës janë thelbësore për tregun europian të gazit dhe furnizimet për industrinë dhe familjet. Me afrimin e dimrit, Gjermania po bënte gjithçka që mundej për të kursyer gazin natyror. Vendet e depozitimit të gazit ishin mbi 90% të mbushura.
Të enjten Habeck tha se Gjermania duhet të përdorë plotësisht politikën e saj fiskale për të ruajtur ekonominë dhe për të vazhduar investimet e biznesit dhe industrisë. Ai shtoi se detyrimi për të zëvendësuar importet ruse të energjisë do t’i kushtonte ekonomisë më të madhe të Europës rreth 60 miliardë euro (58.89 miliardë dollarë) këtë vit dhe 100 miliardë euro vitin e ardhshëm.
Gjermania javën e kaluar mori gjithashtu kontrollin e një rafinerie nafte në pronësi ruse, e cila furnizon 90% të karburantit të kryeqytetit. Me shtetëzimin e Uniper, Gjermania po pompon të paktën 40 miliardë euro (39.49 miliardë dollarë) në tre importuesit më të mëdhenj rusë të gazit Uniper, SEFE dhe divizionin VNG të EnBW.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.