Nafta, e qëndrueshme pranë 90 dollarë – Zbehen shpresat për marrëveshjen bërthamore me Iranin
Nafta është kthyer në rënie gjatë tregtisë europiane, duke zeruar fitimet e sesionit aziatik. Investitorët janë të shqetësuar për ngadalësimin e kërkesës, ndërsa humbjet po kufizohen nga zbehja e mundësive për një marrëveshje mes perëndimit dhe Iranit në lidhje me programin bërthamor të Teheranit zyrtar.
Gjithashtu, edhe vendimi i Moskës për të mobilizuar rezervistët në luftën në Ukrainë mund të dëmtojë furnizimin e tregut. Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 90 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 83 dollarë për fuçi.
Gjatë sesionit aziatik, çmimet u rritën ndjeshëm pasi një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit deklaroi se përpjekjet për të rikthyer marrëveshjen e vitit 2015 me Iranin kanë ngecur, për shkak të këmbënguljes së Teheranit për mbylljen e hetimit të mbikëqyrësit bëthamor të Kombeve të Bashkuara.
Në këtë mënyrë janë zbehur edhe shpresat që nafta iraniane të rikthehej së shpejti në tregje. Në anën tjetër, çmimet po gjenden nën presion nga vendimet e bankave qëndrore për të shtrënguar politikat monetare.
Më herët gjatë javës, Rezerva Federale, Banka e Anglisë, Banka Kombëtare e Zvicrës dhe Banka Qendrore e Norvegjisë, të gjitha rritën normat e interesit për të luftuar inflacionin e lartë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.