Katër “dhurata” që ka marrë Greqia nga BE – Prioritetet kombëtare “përputhen” me planin e ri europian
Dorina Kurtaj/ SCAN
Temat e paraqitura nga qeveria greke – nga konkurrueshmëria e ekonomisë dhe mbrojtja te Migrimi dhe Bujqësia –dallohen dhe në axhendën e Ursula von der Leyen, teksa ajo e analizoi kur foli për BE-në për pesë vitet e ardhshme.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, një nga negociatorët për rizgjedhjen e politikanes gjermane në presidencën e Komisionit Europiane në emër të Partisë Popullore Europiane, foli për vazhdimin e bashkëpunimit me synimin për të ndërtuar një ‘Europë më të fortë, më konkurruese dhe strategjikisht autonome’.
Plani i kryeministrit “përputhet” me pika specifike të fjalimit të von der Leyen dhe me peshën e veçantë që Greqia u jep pretendimeve dhe zhvillimeve të ciklit të ri pesëvjeçar europian.
Së pari, në fushën e mbrojtjes, Athina tashmë po lëviz në dy akse në lidhje me mbrojtjen ajrore veçanërisht: nismat europiane dhe ato në nivel kombëtar. Portofoli i veçantë i Mbrojtjes dhe promovimi i krijimit të një mburoje të përbashkët europiane të mbrojtjes ajrore ‘kënaq’ Athinën. Mitsotakis, së bashku me homologun e tij polak Donald Tusk, shfaqet si protagonist në debat me idenë e një sistemi të përbashkët që do të forcojë aftësitë kundërajrore të Europës dhe industrinë e mbrojtjes, duke “reduktuar” nga shpenzimet kombëtare.
Së dyti, për çështjet e fermerëve dhe tranzicionit të gjelbër, pas kryeqyteteve europiane të rrethuara nga traktorët në dimër, Athina përballet me një nga sfidat më të rëndësishme sektoriale të BE-së. Mitsotakis ka pranuar se lëvizjet e pesë viteve të fundit kanë bërë shumë presion mbi fermerët. Dhe ai i bashkohet zërave që flasin për zbatimin e tranzicionit të gjelbër me ritme që nuk do të ndikojnë ndjeshëm në të ardhurat e fermerëve europianë – e për pasojë dhe të atyre grekë.
Së treti, për çështjen e banesave dhe në sfondin e krijimit për herë të parë të një komisioneri strehimi me një plan për të ndërtuar shtëpi me mbështetjen e investimeve private dhe shtetërore, Athina tashmë po kërkon përgjigje përmes buxhetit kombëtar për të zgjidhur problemin. Duke pretenduar një rezultat të prekshëm nga negociatat me Brukselin, në mënyrë që të mund të drejtojë nga vjeshta një program të zgjeruar “Shtëpia ime” – subvencionimi i kredisë për shtëpinë e parë, që shkon në të paktën 2 miliardë euro.
Së katërti, portofoli i veçantë për çështjet e Politikës Mesdhetare pritet të përfshijë kapituj kritikë për Greqinë, si emigracioni, siguria, vendet e punës. Athina kërkon zgjidhje europiane për këto cështje.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.