KESH dominoi prodhimin e energjisë – Bilanci për 8-mujorin. Konsumi, thuajse në nivelet e vitit të kaluar
Rreth 4.6 mln Mwh energji u prodhuan gjatë 8-mujorit të parë të këtij viti nga të gjithë burimet gjeneruese në vend, duke shënuar një rënie të ndjeshme në raport me një vit më parë, ku për të njëjtën periudhë u gjenerua rreth 7 mln Mwh energji.
Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi u dominua nga hidrocentralet e Kaskadës së Drinit me 52.6% të energjisë totale, ndryshe nga 6- mujori i këtij viti ku sasia më e madhe e energjisë u prodhua nga hidrocentralet private.
Paralelisht ka vijuar edhe prodhimi i energjisë nga centralet fotovoltaike, ndonëse sasia e gjeneruar është tejet e ulët në raport me energjinë e prodhuar nga burimet hidrike. Në total këto impiante prodhuan 39 154 Mwh energji, duke shënuar rritje të lehtë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku prej këtyre impianteve u prodhua 30 538 Mwh energji.
Ndërkaq, konsumi total i energjisë për 8 – mujorin arriti në rreth 5,57 mln Mwh energji, një nivel thuajse i njëjtë me atë të konsumuar në periudhën janar- gusht të vitit të kaluar, ku konsumi u regjistrua në 5.68 mln Mwh.
Ndërkaq, niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për 8 – mujorin u regjistrua në 20.42%, duke shënuar një përmirësim të lehtë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku humbjet përllogariteshin në 21.3%.
Sa i takon nivelit të arkëtimeve, pas një tendencë në rënie gjatë 6-mujorit, në muajt korrik dhe gusht është shënuar rritje, duke u fiksuar në 96%, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ky tregues ishte 96.1%, të faturave të gjeneruara nga OSHEE.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.