KESH, tender për energjinë nga TEC – Siguri kibernetike për TEC Vlorë, fondi limit arrin në 44 milionë lekë!
Prodhimi i energjisë nga TEC-et ka krijuar kosto shtesë për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Ky dikaster ka hapur një tender me vlerë 44 mln lekë, që ka në fokus sistemin e sigurisë kibernetike, ndërkohë që në dokumentet e tenderti specifikohet se shkak janë zhvillimet e fundit në korporatë, në drejtim të shtesave të infrastrukturës të klasifikuar si kritike e më konkretisht TEC. “Për pasojë nevojitet adaptimit i rrjetit të enkriptuar, duke shtuar diodat enkriptuese sipas nevojës për të akomoduar zgjerimin e njësive”, – thuhet ndër të tjera në dokument.
Po ashtu, specifikohet se objektivi i përgjithshëm i kontratës që do të nëhskruhet përmes tenderit, mbi kufirin e lartë monetar është zgjerimi i infrastrukturës së enkriptuar duke akomoduar ndryshimet në korporatë me futjen në infrastrukturën e sigurtë të TEC Vlorë. Hapja e këtij tenderi vjen pas kontraktimit me qira të 2 TEC-eve lundrues, që do të vendosen në portin e Triportit, me qëllim shfrytëzimin e infrastrukturës së rrjetit që ndodhet praë TEC Vlorë.
Në funksion të tyre, pak javë më parë u hap edhe një tjetër tender me vlere 280 mln lekë, për hartimin e projektit, që do duhet të zbatohet për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme të aksesit dhe ankorimit për operimin e tyre.
Impianti termik do të përdorë karburant të lëngshëm, si gasoil ashtu edhe mazut/solar për të gjeneruar energjinë, ndërkohë që përfaqësues të qeverisë kanë argumentuar vazhdimisht se kostot do të jenë më të ulta se ato në bursa. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë publik sesa do të të arrijë kosto për 1 MWh.
Aktualisht është deklaruar se qiraja ditore do të jetë 63,000 USD, ndërsa vlera ditore e Operimit dhe mirëmbajtjes së asetit do jetë 31,500 USD. Karburanti do të duhet të sigurohet nga KESH, por kostot nuk janë bërë publike.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.