Konfirmohet në 9.1% inflacioni në eurozonë – Vijojnë të rriten çmimet e energjisë dhe ato të ushqimeve
Inflacioni në eurozonë ka prekur një tjetër rekord në muajin gusht duke arritur në nivelin 9.1% sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat. Rritja e fortë e cmimeve të energjisë dhe prodhimeve ushqimore i ka dhënë shtysën më të fortë inflaciont, që ndoshta po i drejtohet një niveli dyshifror.
Indeksi i çmimeve të konsumit në 19 vende që përdorin euron është rritur me 0.6% në bazë mujore dhe në 9.1% në bazë vjetore, niveli më i lartë që nga krijimi i euros në vitin 1999.
Në vlerësimin e shpejtë në fund të gushtit, Eurostat parashikoi një variacion mujor prej 0.5%. Shifra vjetore prej 9.1% nuk është rishikuar.
Eurostat tha se 3.95 pikë përqindje e ndryshimit nga viti në vit vjen nga rritja e kostove të energjisë – kostot e të cilave janë rritur për shkak të pushtimit rus të Ukrainës – dhe 2.25 pikë nga ushqimi, alkooli dhe duhani.
Por edhe duke përjashtuar paqëndrueshmërinë e energjisë dhe ushqimeve të papërpunuara – duke ndjekur shifrën që banka qendrore europiane e quan inflacion bazë – çmimet u rritën me 5.5% krahasuar me vitin e kaluar, nga 5.1% në korrik.
Mallrat industriale ishin 5.1% më të shtrenjta se 12 muaj më parë, ndërsa çmimet e shërbimeve u rritën me 3.8%.
Banka Qendrore Europiane, objektivi i përgjithshëm i inflacionit të së cilës është 2%, javën e kaluar rriti normat bazë të interesit me 75 pikë bazë dhe premtoi rritje të mëtejshme, duke i dhënë përparësi luftës kundër inflacionit, pavarësisht nga rreziqet e një dimri të karakterizuar nga recesioni dhe racionimi i gazit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.