Kundërshtimet për garat tenderuese – Regjistrohen 532 ankesa në KPP, mbi 61% kontestojnë vlerësimin e ofertave
Hartimi i kritereve dhe dokumenteve të tenderit apo kontestimet në vlerësimin e ofertave kanë detyruar 532 subjekte të ankohen pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Të dhënat i përkasin 8-mujorit të parë të këtij vitit, ku sipas të dhënave të përpunuara nga TV SCAN numri i ankesave gjatë fazës së vlerësimit të ofertave dominon, kundrejt atyre të depozituara për kundërshtime mbi dokumentet e tenderit.
Përgjatë periudhës janar – gusht, 61.5% e ankesave janë depozituar pikërisht pët të kundërshtuar vlerësimin për shpalljen e kompanisë fituese, ndërkohë që pjesa tjetër prej 38.5% janë ankesa për dokumentet standarde të tenderit. Më konkretisht, përgjatë 8 – mujorit janë depozituar 205 ankesa për dokumentet standarde të tenderit dhe 327 ankesa për vlerësimin e ofertave, teksa vetëm përgjatë muajit gusht u regjistruan në total 83 ankesa.
Ndërkaq, referuar vendimmarrjeve të Komisionit të Prokurimit Publik, rezulton se një pjesë e madhe e tyre janë janë pranuar, duke iu dhënë të drejtë operatorëve ekonomikë, në drejtim të vendosjes së kritereve për të marrë pjesë apo për t’u kualifikuar në një tender për punë, mallra apo shërbime.
Po ashtu, kjo nënkupton se institucionet shtetërore, nuk kanë ndjekur hapat e duhur ligjorë në drejtim të hartimin të kritereve të tenderit. Ndërkaq, nuk mungojnë as rastet kur Komisioni i Prokurimit Publik iu ka dhënë të drejtë operatorëve ekonomikë, në drejtim të vlerësimit të ofertave, duke pranuar ankesat e tyre.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.