Ngadalësohet ekonomia në Gjermani – Situata pritet të përkeqësohet në dimër prej mungesës së gazit
Ekonomia gjermane po tkurret dhe ndoshta do të përkeqësohet në muajt e dimrit për shkak të reduktimit dhe racionimit të konsumit të gazit. Lajmi u konfirmua nga Banka Qendrore Gjermane, Bundesbank.
Pasi Rusia, e cila para konfliktit në Ukrainë furnizonte rreth 40% të gazit Bashkimin Europian, mbyllu gazsjellësin Nord Stream 1, ekonomia më e madhe europiane është në kërkim të burimeve alternative dhe mënyrave për të reduktuar konsumin.
Sipas Bankës Qendrore, ekonomia e vendit mund të pësojë një tkurrje dhe nëse do të shmanget një racionim i mirëfilltë i gazit, pasi sipërmarrjet do të ndërpresin ose reduktojnë prodhimin. Aktiviteti ekonomik mund të ngadalësohet këtë tremujor dhe të reduktohet ndjeshëm në muajt e dimrit.
Por instituti qendror gjithësesi shton se nuk duhet përqendruar vëmendja në skenarin negativ të parashikuar në muajin qershor, që fliste për një tkurrje prej 3.2% të ekonomisë në vitin 2023
Por kombinimi i krizës energjitike, përforcimit të inflacionit dhe krizës industriale mund të shtyjë Gjermaninë drejt një recesioni të plotë. Alarmi jepet nga ekspertë ekonomie në vend të cilët duket se konfirmojnë situatën e vështirë.
Instituti IFO, një nga më të njohurit në vend për sa i përket analizave ekonomike, shprehet i shqetësuar sepse ngadalësimi i ekonomisë kryesore europiane mund të jetë vetëm në fillim. Parashikimet aktuale të këtij instituti flasin për një rënie me 0.2% të PBB-së dhe me 0.4% në dy tremujorët e vjeshtës dhe të dimrit, në periudhën shtator mars.
Rritja e papunësisë prej 50 mijë njësi në vitin e ardhshëm, është identifikuar në thelb e pashmangshme për ekonominë gjermane. Dhe rënia e punësimit do të ishte një shkak i mundshëm i një shtytjeje të mëtejshme depresive për të ardhurat e familjeve që do të shkaktonte dëme të konsiderueshme në vend, duke ndikuar në stabilitetin ekonomik, dhe konsumin.
Sipas të dhënave të këtij instituti brenda ekonomisë gjermane recesioni mund të shkaktojë dëme prej 150 miliard euro për sipërmarrjet. Ndërkohë që përqendrimi gjeo-ekonomik i Gjermanisë mund të shkaktojë një stuhi recesioni në të gjithë Europën.
Instituti Kiel për Ekonominë Botërore, një nga më të rëndësishmit në Europë, parashikon në analizat e tij rrezikun e një stagflacioni për vitin 2023, për shkak të një rënie prej 0.7% të PBB-së, kombinuar me një rritje të inflacionit. Kjo pavarësisht ndërhyrjeve të Bankës Qendrore Europiane.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.