Kush e mban “peshën” e borxhit të brendshëm qeveritar? – 3 mujori i parë, 724 miliardë lekë huamarrje vendase
Performanca e mirë në mbledhjen e të ardhurave buxhetore ka bërë që trendi i rënies së borxhit publik të jetë pozitiv. Për herë të parë, pas më shumë se një dekade borxhi publik ka rënë nën nivelin 60% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, stoku i borxhit publik ka zbritur në nivelin 55,75% të Produktit të Brendshëm Bruto në tremujorin e parë të vitit 2024. Stoku i borxhit të brendshëm zë 30,43% dhe stoku i borxhi të jashtëm 25,32%. E thënë ndryshe, aktualisht qeveria shqiptare ka një nivel total borxhi prej 13.5 miliardë euro.
Por, cilët janë institucionet që mbajnë peshën kryesore të borxhit të brendshëm të qeverisë i cili regjistrohet në nivelin prej rreth 724.4 miliardë lekëve në 3 mujorin e parë të vitit dhe 99% është në monedhë kombëtare?
Të dhënat zyrtare tregojnë se sistemi bankar është huadhënësi më i madh duke zënë rreth 62.12% të totalit të borxhit, nga të cilët 7.96 % janë klientë të bankës.
Më pas renditen institucionet financiare, të cilat mbulojnë 13.88 për qind të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare.
Një peshë të konsiderueshme zënë edhe individët me rreth 12.09 %. Ndërsa Banka e Shqipërisë ka mundësuar mbulimin e borxhit të brendshëm në nivelin 8.87 %.
Dhe në fund renditen institucionet jo financiare të cilat zënë një peshë prej 3.04 për qind të borxhit të brendshëm total të marrë nga qeveria shqiptare. Në këtë ndarje nuk përfshihet letra me vlerë emetuar për Bankën e Shqipërisë .
Objektivi i qeverisë është vijimi i trendit rënës të borxhit publik sipas rekomandimeve edhe të institucioneve financiare ndërkombëtare.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.