Bota Postuar më 28 Korrik 2026, 10:26

“5 dyqanet”, ulje deri në 30% për fruta-perimet/ Nju Jork, Mamdani njofton nismën për uljen e kostove të jetesës

Nga Lidion Kulla

“5 dyqanet”, ulje deri në 30% për fruta-perimet/ Nju Jork,

Plani i kryebashkiakut të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, për të hapur një rrjet dyqanesh ushqimore në pronësi të bashkisë ka ngjallur reagime të forta. Kritikët e kanë cilësuar nismën si hapin e parë të politikanit socialist-demokrat, drejt krijimit të “radhëve komuniste për bukë” në qytet.

Kryebashkiaku paraqiti një vizion tjetër për këto dyqane në pronësi të qytetit, duke njoftuar se do të ofrojnë zbritje prej 30% për fruta, perime, mish dhe një sërë produktesh të tjera ushqimore bazë. Sipas tij, kjo masë synon të zbusë ndikimin e rritjes së çmimeve të ushqimeve, në një nga qytetet më të shtrenjta të Shteteve të Bashkuara dhe të botës. Pesë dyqanet pritet të hapen në secilën prej pesë lagjeve të qytetit, me të parin që do të hapet në fund të vitit 2027 në Bronx. Mamdani planifikon që pesë dyqanet të jenë funksionale deri në fund të mandatit të tij 4-vjeçar.

“Një zbritje prej 30% përkthehet në kursime të ndjeshme për banorët e Nju Jorkut”, deklaroi kryebashkiaku demokrat, gjatë një konference për shtyp në një magazinë në Bruklin, përpara një stende me fruta dhe perime. “Në qytetin më të pasur, në vendin më të pasur në historinë e botës, askush në Nju Jork nuk duhet të shqetësohet nëse mund ta përballojë ushqimin për familjen e tij”, u shpreh Mamdani.

Bashkia ka filluar procesin e përzgjedhjes së operatorëve privatë për të trajtuar operacionet e përditshme të dyqaneve. Zyrtarët thanë se administrata do të sigurojë vitrinat e dyqaneve, ndërkohë që do të mbulojë kostot e qirasë dhe taksat e pronës. Ngritja e këtyre dyqaneve ishte një ndër premtimet kryesore të Mamdanit, gjatë fushatës zgjedhore, si pjesë e një platforme më të gjerë për uljen e kostove të jetesës. Programi i tij synon që pushteti vendor të luajë një rol më aktiv në zbatimin e politikave në mbështetje të shtresës punëtore, e cila përballet me vështirësi ekonomike. Në një moment gjatë vitit të kaluar, ai e përshkroi këtë nismë si një eksperiment modest dhe deklaroi se, nëse nuk do të funksiononte, atëherë ideja do të rezultonte e gabuar. Në fund të fundit, “kështu e ka jeta”.

Megjithatë, plani ka shkaktuar pakënaqësi tek tregtarët e vegjël, që janë të kudondodhur në lagjet e Nju Jorkut, të cilët druhen se nuk do të jenë në gjendje të konkurrojnë me çmimet e ulëta të ushqimeve në dyqanet që do të menaxhohen nga bashkia. Por, në konferencën për mediat, Mamdani tha se dyqanet në pronësi të qytetit nuk do të shisnin ushqim të ngrohta ose artikuj të tjerë si birra apo cigare, si një mënyrë për të shmangur humbjet e bizneseve private.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat