Europa Postuar më 2 Korrik 2026, 11:15

“Blindohet” Turqia për samitin e NATO-s/ Mijëra forca policie në Ankara, ndalohen protestat e koncertet

Nga Alida Lula

“Blindohet” Turqia për samitin e NATO-s/ Mijëra forca

Më datat 7 dhe 8 korrik, Ankaraja pret liderët e 32 vendeve të aleancës, mes tyre edhe presidentin amerikan Donald Trump. Autoritetet kanë vendosur masa të forta sigurie dhe kufizime të gjera në kryeqytet. Mes pjesëmarrësve pritet të jetë edhe presidenti amerikan Donald Trump, ndërsa autoritetet vendase, synojnë jo vetëm të garantojnë sigurinë e samitit, por të tregojnë angazhimin e Turqisë brenda NATO-s.

Vetë Trump ka lënë të kuptohet se organizimi i samitit në Turqi, ka ndikuar në vendimin e tij për të marrë pjesë. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, e ka cilësuar Turqinë një aleate të besueshme që mban përgjegjësi të rëndësishme në krahun juglindor të NATO-s. Sipas tij, ky samit do të jetë një pikë referimi në historinë e aleancës. Për mbrëvajtjen e këtij samiti në Ankara janë angazhuar dhjetëra mijëra efektivë policie, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore janë vendosur në gatishmëri të lartë.

Zona përreth aeroporteve, kompleksit presidencial ku do të mbahet samiti dhe hoteleve ku do të qëndrojnë delegacionet do të kenë kufizime të rrepta të qarkullimit. Autoritetet kanë ndaluar protestat, koncertet dhe ceremonitë e diplomimit gjatë ditëve të samitit. Gjithashtu, një pjesë e punonjësve të administratës shtetërore janë nxjerrë me leje, me synimin për të ulur trafikun në qytetin me afro 6 milionë banorë.

Turqia është anëtare e NATO-s që prej vitit 1952 dhe ka ushtrinë e dytë më të madhe të aleancës pas SHBA-së. Megjithatë, vitet e fundit ajo ka ndjekur shpesh një politikë të pavarur, duke refuzuar t'u bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë, duke blerë sisteme ruse të mbrojtjes ajrore dhe duke vonuar anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO derisa u plotësuan disa nga kërkesat e saj.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat