Analiza Postuar më 2 Korrik 2026, 11:42

Mbetjet në rritje, riciklimi nuk shënon përparim/ Çdo banor prodhoi mesatarisht 383 kilogramë mbeturina në vitin 2025

Nga Xhorxhina Deda

Mbetjet në rritje, riciklimi nuk shënon përparim/ Çdo

Në vitin 2025, në Shqipëri u menaxhuan mbi 900 mijë tonë mbetje, duke shënuar një rritje prej 4.5% krahasuar me vitin 2024. Çdo banor gjeneroi mesatarisht 383 kilogramë mbetje gjatë vitit, ose 23 kilogramë më shumë se një vit më parë.

Edhe këtë vit, pesha e mbetjeve urbane mbetet dominuese. Çdo banor prodhoi mesatarisht 341 kilogramë mbetje urbane, kundrejt 322 kilogramëve në vitin 2024, ndërsa mbetjet jo urbane u rritën nga 38 në 42 kilogramë për banor. Në total, mbetjet e menaxhuara arritën në 900.782 tonë, nga 862.241 tonë një vit më parë.

Sa i përket mënyrës së trajtimit, panorama mbetet pothuajse e pandryshuar. 77% e mbetjeve u depozituan në landfille, duke mbetur metoda kryesore e menaxhimit, ndërsa 18% u ricikluan, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2024. Ndërkohë, 90.3% e popullsisë u mbulua nga shërbimi i grumbullimit të mbetjeve.

Të dhënat e tre viteve të fundit tregojnë një rritje të vazhdueshme të mbetjeve të menaxhuara. Nga 844 mijë tonë në vitin 2023, ato u rritën në 862 mijë tonë në vitin 2024 dhe arritën në 900.8 mijë tonë në vitin 2025. Në të njëjtën periudhë, sasia mesatare e mbetjeve për banor u rrit nga 351 kilogramë në 360 kilogramë, për të arritur në 383 kilogramë në vitin 2025.

Shifrat tregojnë se sasia e mbetjeve në vend vijon të rritet, ndërsa riciklimi mbetet në të njëjtat nivele. Kjo nënkupton se depozitimi në landfille vazhdon të jetë forma kryesore e trajtimit të mbetjeve, pavarësisht rritjes së volumit të tyre.

Mbetjet në rritje, riciklimi nuk shënon përparim/ Çdo

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat