Kosova Postuar më 4 Qershor 2026, 10:04

Kripto-asetet dhe paraja digjitale në Kosovë - BQK organizon Konferencën Rajonale të nivelit të lartë

Nga Dorian Koça

Kripto-asetet dhe paraja digjitale në Kosovë - BQK organizon

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) organizoi Konferencën dyditore Rajonale për Kripto-asetet dhe Paranë Digjitale. Në konferencë ishin të pranishëm përfaqësues nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), guvernatorë dhe përfaqësues të bankave qendrore të rajonit, drejtues të institucioneve financiare, partnerë ndërkombëtarë, përfaqësues të komunitetit akademik, sektorit financiar dhe ekspertë të fushës së financave digjitale.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, theksoi se zhvillimet e shpejta teknologjike, përfshirë kripto-asetet, format digjitale të parasë, financat e decentralizuara, inteligjencën artificiale dhe sistemet moderne të pagesave, po ndikojnë në mënyrë të thellë në funksionimin e sektorit financiar global.

Këto zhvillime tashmë janë pjesë e agjendës strategjike të bankave qendrore, rregullatorëve dhe industrisë financiare, duke krijuar mundësi për rritjen e efikasitetit, gjithëpërfshirjes financiare, transparencës dhe uljen e kostove të shërbimeve financiare. Këto zhvillime sjellin edhe sfida të rëndësishme për stabilitetin financiar, mbrojtjen e konsumatorëve, integritetin e tregjeve, parandalimin e pastrimit të parave dhe ruajtjen e besimit në sistemin financiar.

Në këtë kontekst, Guvernatori Ismaili theksoi se për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat karakterizohen nga ekonomi të hapura, ndërlidhje të ngushta financiare dhe flukse të rëndësishme të remitancave, financat digjitale paraqesin një mundësi të rëndësishme për avancimin e integrimit rajonal, modernizimin e shërbimeve financiare dhe përafrimin me tregun financiar evropian.

Ai veçoi progresin e Kosovës në modernizimin e infrastrukturës së pagesave, avancimin e pagesave të shpejta dhe procesin e integrimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro, si pjesë e përpjekjeve të BQK-së për të ofruar shërbime më të shpejta, më të sigurta dhe më efikase për qytetarët dhe bizneset.

Guvernatori Ismaili theksoi se inovacioni financiar duhet të mbështetet nga korniza të qarta, proporcionale dhe të bazuara në rrezik, të cilat mundësojnë zhvillimin e teknologjisë, por njëkohësisht ruajnë stabilitetin financiar, mbrojnë konsumatorët dhe forcojnë integritetin e tregut.

Live TV

Të fundit
Shqipëria 4 Qershor Edel Strazimiri

Çfarë ka ndodhur sot në tregun valutor?

Dollari amerikan e ka nisur këtë të enjte në qëndrueshmëri pas rritjes që regjistroi një ditë më parë duke u blerë mëngjesin e sotëm me 81.5 lekë dhe duke u......

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Shqipëria 4 Qershor Edel Strazimiri

Çfarë ka ndodhur sot në tregun valutor?

Dollari amerikan e ka nisur këtë të enjte në qëndrueshmëri pas rritjes që regjistroi një ditë më parë duke u blerë mëngjesin e sotëm me 81.5 lekë dhe duke u......