Shqipëria Postuar më 20 Korrik 2026, 12:10

Bashkitë, mbi 300 euro shpenzime për banor - Si kanë ndryshuar të ardhurat dhe shpërndarja e tyre në dekadën e fundit

Nga Elisabeta Dosku

Bashkitë, mbi 300 euro shpenzime për banor - Si kanë ndryshuar

Në një dekadë të ardhurat e bashkive për banor kanë shënuar rritje të ndjeshme dhe përmirësim strukturor.

Referuar raportit të Financave Vendore 2025,  në periudhën 2015–2025, transferta e pakushtëzuar për banor është rritur me rreth 203%, duke garantuar stabilitet financiar dhe mbështetje për njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Ndërkohë, të ardhurat vendore për banor janë rritur me rreth 395%, duke reflektuar forcim të autonomisë fiskale dhe përmirësim të administrimit të të ardhurave.

Konkretisht nga transferta e pakushtëzuar e cila shkon për përmbushjen e shërbimeve kryesore qytetarët nga 2829 lekë/banor në vitin 2015, në 2025 të ardhurat kanë arritur në 8567 lekë/banor.

Ndërsa të ardhurat që gjenerojnë bashkitë për banor kanë ndryshuar nga 2684 lekë në 2015, në 13.292 lekë në 2025-ën.

Nga ana tjetër, edhe shpenzimet vendore për banor rezultojnë të jenë rritur me 285% përgjatë periudhës 2015-2025, në përputhje me zgjerimin e funksioneve dhe shërbimeve vendore.

Konkretisht, nga 7418 lekë që regjistroheshin në vitin 2015, shpenzimet mesatare vendore për banor kanë arritur në 30.128 lekë/banor.

Sipas raportit, në tërësi, këto zhvillime dëshmojnë një konsolidim progresiv të financave vendore, duke krijuar kushte më të favorshme për planifikim buxhetor afatmesëm, menaxhim financiar më efecient dhe përfshirje më të qëndrueshme në financimin e projekteve zhvillimore.

Reforma administrativo - territoriale është shoqëruar me një rritje të konsiderueshme të buxhetit vendor. Konkretisht, në vitin 2015 buxheti vendor ka qenë në vlerën 34 miliardë lekë, në vitin 2025 në shumën 92.4 miliard lekë (ku përfshihen edhe shpenzimet e borxhit vendor.  Kjo përfaqëson rritje rreth 3 herë të buxhetit vendor gjatë një dekade. Ndërkohë në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, buxheti vendor në vitin 2015 zinte 2.4% të PBB-së, në vitin 2025 arriti në 3.5% të PBB-së dhe së bashku me transfertat e kushtëzuara në 5% të PBB-së.

Buxheti vendor përveç se ndikon në jetën e qytetarëve është edhe një motor i rëndësishëm i ekonomisë ku kontributi i tij si në mirëqenien e qytetarëve po ashtu edhe në produktin e brendshëm bruto është një e dhënë thelbësore për ekonominë e vendit. Ky kontribut është i formave të ndryshme dhe kjo lidhet kryesisht me ndikimin e investimeve në infratrukturën dhe cilësinë e jetës apo pagat e punonjësve që ndikojnë në rritjen e drejtpërdrejtë të konsumit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat