Shqipëria Postuar më 28 Korrik 2026, 11:19

Check-Up pa kufi moshe, nisma të reja për të moshuarit - Linjë këshillimi dhe Geriatri, paketë e re për moshën e tretë

Nga Diamila Leka

Check-Up pa kufi moshe, nisma të reja për të moshuarit -

Qytetarët mbi moshën 70 vjeç pritet të përfshihen për herë të parë në programin kombëtar të Check-Up falas. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka propozuar heqjen e kufizimit të sipërm të moshës, ndërsa paralelisht ka prezantuar edhe një sërë nismash të reja në mbështetje të të moshuarve, mes tyre shërbimin e parë të Geriatrisë dhe Linjën e Këshillimit për të Moshuarit.

“Kemi propozuar pranë Këshillit të Ministrave heqjen e kufizimit të sipërm të moshës për kryerjen e Check-Up falas. Deri më sot, shërbimi ofrohej për grupmoshën 35-70 vjeç. Çdo  qytetar mbi 35 vjeç, pavarësisht moshës, do të mund ta kryejë Check-Up falas. Kjo do të thotë se edhe qytetarët 70, 80 apo 90 vjeç do të kenë të njëjtën mundësi për të kryer kontrollet parandaluese, sepse kujdesi për shëndetin nuk ka kufi moshe”.

Ministrja njoftoi gjithashtu se Shqipëria do të ketë për herë të parë një shërbim të specializuar të Geriatrisë. Ky shërbim do të nisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" dhe më pas do të shtrihet edhe në rajone të tjera të vendit, me synim përmirësimin e kujdesit shëndetësor për të moshuarit. Gjatë takimit, Sala u ndal edhe te masat për forcimin e administrimit të spitaleve, duke theksuar se kanë nisur kontrollet administrative për respektimin e orarit të punës nga personeli shëndetësor në të gjithë vendin.

“Për herë të parë po krijojmë një linjë të dedikuar këshillimi për të moshuarit, ku ata do të mund të marrin informacion, orientim dhe mbështetje për çdo shërbim shëndetësor, apo social për të cilin kanë nevojë. Synimi ynë është që asnjë i moshuar të mos mbetet pa informacion dhe pa akses në shërbimet publike”.

Po ashtu, ministrja prezantoi edhe Linjën e parë të Këshillimit për të Moshuarit, një shërbim i ri që do t'u ofrojë të moshuarve dhe familjarëve të tyre informacion, orientim dhe mbështetje për përfitimin e shërbimeve shëndetësore, sociale dhe shërbimeve të tjera publike. Linja e Këshillimit për të Moshuarit do të jetë falas dhe e aksesueshme në numrin 08004042, ndërsa sipas Ministrisë së Shëndetësisë, këto iniciativa synojnë të zgjerojnë aksesin në shërbime dhe të përmirësojnë cilësinë e jetës për të moshuarit në të gjithë vendin.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat