Shqipëria Postuar më 26 Qershor 2026, 10:57

Policia forcon kontrollin në plazhe dhe porte turistike - Lamallari: Dronë dhe teknologji për monitorimin e bregdetit

Nga Diamila Leka

Policia forcon kontrollin në plazhe dhe porte turistike - Lamallari:

Siguria në plazhe, në pikat kufitare dhe në destinacionet më të frekuentuara turistike do të jetë në fokus të Policisë së Shtetit gjatë sezonit veror 2026. Masat e reja u prezantuan në Durrës, ku ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se rritja e numrit të vizitorëve sjell mundësi të reja për ekonominë, por edhe më shumë përgjegjësi për institucionet që garantojnë rendin dhe sigurinë.

“Një vend i sigurt nuk ndërtohet me fjalë, por me shumë punë e përkushtim dhe me njerëz që zgjohen të parët dhe flenë të fundit. E kam fjalën për Policinë e Shtetit, e cila ka barrën kryesore në këto muaj me fluks të lartë udhëtarësh dhe grumbullimesh në zonat turistike”.

Gjatë vitit 2025, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare u kanë ardhur në ndihmë 231 qytetarëve dhe 80 mjeteve lundruese që ndodheshin në vështirësi. Në të njëjtën periudhë janë kontrolluar mbi 5 mijë e 600 mjete lundruese dhe janë ndëshkuar drejtuesit që kanë shkelur rregullat dhe kanë rrezikuar sigurinë e pushuesve. Për këtë sezon, kapacitetet operacionale do të forcohen me mjete të specializuara, personel të trajnuar dhe monitorim nga ajri.

“35 motorë uji, personel i trajnuar, patrullime intensive në të gjithë vijën bregdetare dhe monitorim nga ajri me dronë do të jenë në funksion të sigurisë së pushuesve”.

Ndërkohë, Policia Kufitare do të përdorë teknologji të reja dhe lidhje të drejtpërdrejtë me sistemin TIMS, me qëllim lehtësimin e procedurave për jahtet, velierat dhe mjetet e tjera lundruese që hyjnë në territorin shqiptar. Sipas Ministrisë së Brendshme, objektivi është garantimi i një sezoni turistik me standarde më të larta sigurie, si për qytetarët shqiptarë, ashtu edhe për vizitorët e huaj.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat