Shqipëria Postuar më 26 Qershor 2026, 13:05

Bonus-malus shpërblen shoferët, bie primi i sigurimit - AMF: Makinat pa aksidente gjatë vitit 2025 përfituan tarifa më të ulëta

Nga Ledina Elezi

Bonus-malus shpërblen shoferët, bie primi i sigurimit - AMF: Makinat

Tregu i produkteve të sigurimit të makinave ka pësuar ndryshime të rëndësishme gjatë pesë muajve të parë të këtij viti. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), primi mesatar i sigurimit të makinës me MTPL të brendshme, ka vijuar të bjerë, kësaj radhe me 2.1%, si rezultat i zbatimit të skemës së re bonus-malus dhe konkretisht faktorit të historisë së dëmeve, ku makinat me zero aksidente gjatë vitit 2025, kanë paguar një prim më të ulët sigurimi se më parë. E thënë me fjalë të tjera, në janar-maj ka pasur më shumë shoferë që janë shpërblyer me çmime më të favorshme sigurimi, për shkak të sjelljes së mirë në drejtimin e makinës.

Nga ana tjetër, edhe dy produktet e tjera të sigurimit motorik, Kartoni Jeshil për automjetet e regjistruara në Shqipëri të cilat udhëtojnë jashtë vendit dhe Sigurimi Kufitar për automjetet me targa të huaja që qarkullojnë brenda territorit të Shqipërisë vijojnë rënien. Statistikat flasin për 2% më pak prime për Karton Jeshil dhe 8% më pak për Sigurimin Kufitar. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare thekson se rënia është pasojë e lehtësimit të lëvizjes së autoveturave drejt vendeve kufitare, anëtare të CEFTA-s.

Struktura e tregut nuk ka ndryshuar. Segmenti Jo-jetë vazhdon të dominojë, duke përbërë 90.6% të totalit. Primet e shkruara bruto arritën në rreth 9.6 miliardë lekë, me rritje prej 5%, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 3.6 miliardë lekë, me rritje prej 19%.

Sigurimet e detyrueshme motorike mbeten portofoli dominues i tregut Jo-jetë, duke zënë 66% të tij, me prime të shkruara bruto që arritën në rreth 6.3 miliardë lekë, dhe dëme të paguara bruto që arritën në rreth 2.4 miliardë lekë, në rritje me 5.6%. Ndërkohë, numri i kontratave dhe i dëmeve paraqitet relativisht i qëndrueshëm, me rritje të moderuara, respektivisht 1.5% dhe 2.5%. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat