Shqipëria Postuar më 5 Qershor 2026, 10:48

Të ardhurat në arkën e shtetit arrijnë 275.8 miliardë lekë - Malaj: Ekonomia po gjeneron më shumë aktivitet

Nga Edel Strazimiri

Të ardhurat në arkën e shtetit arrijnë 275.8 miliardë

Të ardhurat buxhetore gjatë katër muajve të parë të vitit kanë vijuar ecurinë pozitive, duke arritur në 275.8 miliardë lekë, një rezultat që sipas Ministrit të Financave, Petrit Malaj, pasqyron zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe përmirësimin e performancës së administratës fiskale.

Në një konferencë për shtyp kushtuar zhvillimeve makroekonomike dhe fiskale, ministri bëri të ditur se të ardhurat e mbledhura në periudhën janar-prill janë 11.7% më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në terma financiarë, kjo përkthehet në rreth 302 milionë euro më shumë të ardhura në buxhet.

Sipas Malaj, një kontribut të rëndësishëm në këtë rezultat kanë dhënë të ardhurat tatimore dhe doganore, të cilat gjatë katër-mujorit arritën në 172.7 miliardë lekë, ose 8.8 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Ministri theksoi se rritja e të ardhurave është tregues i një ekonomie më aktive, ndërsa paralelisht reflekton edhe efektet e masave të ndërmarra për forcimin e administrimit tatimor dhe doganor, në kuadër të zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.

Po ashtu, ecuri pozitive kanë shfaqur edhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Të ardhurat nga këto skema arritën në 66.8 miliardë lekë, duke regjistruar një rritje prej 12.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Krahasuar me katër-mujorin e parë të vitit 2025, të ardhurat nga sigurimet janë shtuar me 7.4 miliardë lekë. Sipas ministrit, ky zhvillim lidhet me zgjerimin e punësimit dhe rritjen e pagave në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Malaj nënvizoi se rritja e kontributeve forcon qëndrueshmërinë financiare të skemave të sigurimeve dhe krijon më shumë garanci për mbrojtjen sociale të qytetarëve në të ardhmen.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat