Linjat e udhëtarëve, në vështirësi – Mema: Rimbursimi i karburantit nuk merret i plotë, problem dhe transporti i paligjshëm
Operatorët e transportit ndërqytetës nuk po arrijnë të përfitojnë të plotë subvencionin e karburantit prej 100 lekë/litër për shkak të deklarimeve jo të plota, që kanë bërë vitin e kaluar, duke krijuar vështirësi për disa linja. Kujtim Mema, kryetar i Shoqatës së Transportit Kombëtar Interurban thotë se kjo situatë është pasuar me reduktim oraresh për disa linja, por gjithsesi përjashton mundësitë e falimentimit.
Por, sipas Memës vështirësive financiare iu shtohet edhe problemi me transportin e paligjshëm, që së fundmi është rikthyer në nivele të larta.
Sipas vendimit të qeverisë, operatorët e transportit kanë afat deri në datën 1 dhjetor për të aplikuar për përfitimin e rimbursimit të karburantit, teksa bashkëngjitur kërkesës duhet të dorëzojnë edhe kopje të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën: gusht, shtator, tetor, të vitit 2021 dhe 2022.
Vendimi i qeverisë erdhi pas mos arritjes së disbursimit të plotë të fondit të vendosur në dispozicion në paketën e parë. Sipas qeverisë, vetëm 60% e fondit arriti të tëhiqej nga operatorët, për shkak të mungesës së dokumenteve të kërkuar.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.