Pse mbretëresha e Danimarkës u ka hequr titujt mbretërorë nipërve?!
Mbretëresha e Danimarkës ka hequr disa tituj mbretërorë nga katër nipërit e saj, në një veprim të kritikuar nga djali i saj më i vogël. Mbretëresha Margrethe II ka dy djem: Princin e Kurorës Frederik, i cili është trashëgimtari i fronit, dhe vëllai i tij Princi Joachim.
Ndërsa princat kanë secili nga katër fëmijë, nga 1 janari i vitit të ardhshëm fëmijët e Joachimit nuk do të lejohen më ta quajnë veten Princi ose Princesha – një titull që ata mbajnë aktualisht. Në vend të kësaj, ata do të lejohen të përdorin vetëm një nga titujt e tyre të tjerë: kont ose konteshë e Monpezatit.
Pallati deklaroi se vendimi i Mbretëreshës ishte në përputhje me lëvizjet që shtëpitë e tjera mbretërore europiane kanë bërë vitet e fundit dhe se ajo dëshiron që katër nipërit e saj nga Princi Joachim “të jenë në gjendje të formësojnë jetën e tyre në një masë shumë më të madhe pa u kufizuar nga konsideratat dhe detyrat e veçanta që përfshin një lidhje formale me Shtëpinë Mbretërore të Danimarkës si institucion.”
Ndërsa pallati ka bërë me dije se ky vendim ishte marrë para disa muajsh dhe se djali i saj Princi Joachim ishte mbajtur i informuar, ai ka reaguar në mënyrë kritike ndaj njoftimit.
Në një intervistë me një media daneze, Joachim – i cili jeton në Paris me gruan e tij të dytë dhe dy fëmijët më të vegjël – citohet të ketë thënë se nuk i është dhënë shumë njoftim se ndryshimet ishin tashmë të vendosura zyrtarisht.
Ndërkohë Princi Nikolai – djali i madh i Princit Joachim – i tha gazetës daneze Extrabladet të enjten në mbrëmje se ishte i trishtuar, i tronditur dhe i hutuar nga vendimi i gjyshes së tij.
Edhe pse nipërve mbretërorë do t’u ndërrohen titujt, ata nuk do të humbasin vendet e tyre sipas rendit të pasardhësve të kurorës daneze. Aktualisht janë të 7-të, 8-të, 9-të dhe 10-të në radhën e fronit, pas babait, kushërinjve dhe xhaxhait të tyre.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.