Markimi i karburanteve, kalon tek Doganat – Përfundon kontrata koncesionare
Markimi dhe monitorimi i karburanteve do të kalojë nën përgjegjësinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Ministria e Financave ka vendosur që të mbyllë përfundimisht kontratën e koncesinare për markimin e karburanteve në muajin Gusht, e cila ishte shtyrë për një vit, nga 10 vite që ishte përcaktuar kohëzgjatja fillestare.
Objekti i kontratës koncesionare/PPP është kryerja nga koncesionari e shërbimit të markimit dhe të monitorimit të karburanteve për qëllim të shmangies së evazionit fiskal. Ky shërbim kryhet mbi produktet e markimit dhe monitorimit, të cilat sipas kontratës, janë produktet e bardha (gazoil dhe benzen), produktet e zeza (solar dhe mazut), nafta bruto, lëndët djegëse dhe produktet e ndërmjetme.
Kontrata është miratuar në vitin 2013 dhe operacionet e markimit të karburanteve në terren filluan në muajin Shtator 2013, kurse operacionet e monitorimit të tregut të karburanteve të rafinuara filluan më datë 23 Qershor 2014.
Në vijim të urdhrit të fundvitit të kaluar të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, nga grupi i punës janë realizuar komunikimet institucionale për të marrë masat për transferimin e kontratës dhe dorëzimin e aseteve të saj nga Shoqëria Koncesionare tek Autoriteti Kontraktues, përkatësisht te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, sipas dispozitave dhe afatit të kontratës koncesionare.
Kostoja e kontratës koncesionare të markimit të karburanteve, llogaritet në rreth 1.6 lekë/litër dhe është një nga tarifat e përfshira në çmimin e karburantit, që paguhet drejtpërdrejt nga qytetarët. Duke qenë se infrastruktura është ndërtuar dhe investimi është bërë, me kalimin nën administrimin e Doganave të kësaj procedure, mund të ketë edhe një rishikim në ulje të tarifës, e cila mund të sjellë edhe ndryshime në çmimin e karburanteve në treg.
Kompania koncesionare GFI Albania shpk e ofron shërbimin e markimit dhe monitorimit me një çmim prej 614 Lekë për 1000 Litra të markuara (pa TVSH). Ndërkohë që kjo tarifë përgjatë 10 viteve i ka garantuar fitime që tejkalojnë shifrën e 30 milionë eurove. Vlera e investimit në kontratën koncesionare parashikohej të ishte 4.4 milionë euro.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.