Marrëveshje me rajonin për sigurinë ushqimore – Krifca: Tregje të hapura dhe pa ndërprerje furnizimesh
Tregje të hapura në rajon dhe pa tavane të vendosura, kjo është marrëveshja që Shqipëria do të firmosë ditën e enjte në Beograd me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut në kuadër të Ballkanit të Hapur. Pas mbledhjes së Qeverisë, ministrja e Bujqësisë Frida Krifca u shpreh se kjo marrëveshje po kryhet për moscënimin e mëtejshëm të tregtisë nga lufta në Ukrainë.
Frida Krifca: ‘Këshilli i Ministrave ka miratuar një marrëveshje që do firmoset nesër në Beograd për ngritjen e një mekanizmi të garantimit dhe sigurimit ushqimor të mbajtjes së tregjeve të hapura pa asnjë ndërprerje pa përcaktuar asnjë tavanë sic ka ndodhur në muajt e kaluar pa përmenduar asnjë kuotë. Marrëveshje e një tregtie të lirë të pacënuar nga efektet e luftës në Ukrainë. Kjo thellon bashkëpunimin mes vendeve të ballkanit të hapur dhe krijon një siguri më tepër për konsumatorët dhe qytetarët.’
Marrëveshja parashikon parandalimin e mungesës së produkteve bazë bujqësore dhe ushqimore në tregjet e vendeve pjesëmarrësve në nismën “Ballkani i Hapur”, për sigurimin e mirëqenies së qytetarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e respektuar parimin e solidaritetit, si një nga parimet bazë të kësaj Nisme.
Parashikohet të përforcohet bashkëpunimi rajonal dhe ndihma ndërmjet pjesëmarrësve të Nismës në rast të ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit, si pasojë e krizës globale, kur njëra nga palët përballet me mungesë në furnizimin me produkte bazë bujqësore dhe ushqimore për tregun e brendshëm.
Ndërkohë, qeveria ka miratuar edhe projektligjin për zbatimin e asistencës financiare të BE për Shqipërinë, IPA 3 që do të shtrihet deri në vitin 2027.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.