Mbi 2.3 mld euro të transferuara përmes sistemit AIPS – Rreth 3274 më pak transaksione të kryera në qershor
Ledina Elezi/SCAN
Numri i transaksioneve të kryera përmes sistemit AIPS ka pësuar rënie në muajin qershor. Referuar të dhënave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në qershor të këtij viti janë realizuar gjithsej 26,240 transaksione, krahasuar me 29,514 transaksione të realizuara në muajin pararendës.
Nëse bëjmë një krahasim të numrit të transaksioneve që janë kryer prej fillimit të këtij viti përmes sistemit AIPS, vërehet se shifrat e transaksioneve kanë qenë gjithnjë në rritje, me përjashtim të qershorit, i cili shënoi rënien e parë për sa i përket numrit të transaksioneve për këtë vit. Gjithsej, në gjashtëmujorin e parë janë realizuar 149,662 transaksione.
Lidhur me vlerën e transaksioneve, të dhënat tregojnë se ka pasur një ulje në muajin qershor. Kështu, vlera e pagesave të transferuara përmes këtij sistemi zbriti në 368 milionë euro, nga 445 milionë që ishte në muajin maj. Që prej fillimit të vitit, muaji prill ka regjistruar vlerën më të lartë të transaksioneve të kryera, konkretisht 454 milionë euro. Në gjysmën e parë të 2024-ës, përmes sistemit AIPS janë transferuar gjithsej 2,3 miliardë euro.
Në vitin 2022, Banka e Shqipërisë vendosi në zbatim sistemin kombëtar AIPS Euro, i cili përcakton disa komisione tavan për transfertat kombëtare në euro, duke ulur ndjeshëm kostot për qytetarët në kryerjen e pagesave në euro brenda vendit. Funksionimi i sistemit të pagesave AIPS Euro u ka kursyer bizneseve dhe individëve mbi 37 milionë euro në 2023-in.
Nga ana tjetër, anëtarësimi së shpejti i vendit tonë në SEPA, pra në Tregun Unik të Pagesave në Euro, do të jetë një përfitim edhe më i madh për qytetarët dhe ekonominë, pasi do të mundësojë kryerjen e pagesave ndërkombëtare me një kosto më të ulët dhe për një kohë më të shpejtë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.