Meloni, plane ambicioze për Italinë – “Do të respektojmë rregullat e buxhetit të Bashkimit Europian”
Planet ambicioze të shpenzimeve të aleancës së djathtë italiane do të respektojnë rregullat e buxhetit të Bashkimit Europian dhe nuk do të hapin një vrimë në financat e vendit, tha kreu i partisë që kryeson sondazhet përpara zgjedhjeve kombëtare muajin e ardhshëm.
Nacionalistja Giorgia Meloni, e parë si kandidatja kryesore për t’u bërë kryeministrja e parë grua e Italisë, tha se dëshironte të fokusohej në investime për të nxitur rritjen e dobët ekonomike të Italisë, por u zotua për përgjegjësi në menaxhimin e llogarive të saj publike të ngarkuara me borxhe.
“Jam shumë e kujdesshme… Asnjë person përgjegjës, përpara se të ketë një pamje të plotë të burimeve që mund të investohen, nuk mund të imagjinojë shkatërrimin e financave të vendit,” i tha ajo Reuters në një intervistë.
Zgjedhjet e 25 shtatorit u thirrën në korrik pas rënies së qeverisë së unitetit kombëtar të kryeministrit Mario Draghi. “Vëllezërit e Italisë” së Melonit ishin opozita kryesore ndaj Draghit dhe sondazhet sugjerojnë se blloku i saj konservator, duke përfshirë Ligën dhe Forza Italia, është gati të fitojë.
”E di që kur je femër, shpesh je nënvlerësuar, por kjo mund të të ndihmojë. Dhe nëse mund ta bëj këtë, mendoj se më në fund do të kuptojmë edhe këtu në Itali që gratë mund të jenë shumë konkrete, shumë të shpejta dhe ndonjëherë shumë të sinqerta”, tha ajo.
Investitorët e panë ish-shefin e Bankës Qendrore Europiane, Draghi si një kryeministër të sigurt dhe dorëheqja e tij ka përhapur pasiguri. Bastet e investitorëve kundër tregut të obligacioneve të qeverisë italiane janë në nivelin më të lartë që nga viti 2008, sugjerojnë të dhënat nga S&P Global Market Intelligence, në shenjë shqetësimi në rritje për perspektivën ekonomike dhe politike të Italisë.
Programi i aleancës së djathtë premton shkurtime të mëdha taksash, pension të parakohshëm dhe amnisti për të zgjidhur mosmarrëveshjet e vazhdueshme tatimore, të cilat duken të vështira për t’u zbatuar në një vend, borxhi publik i të cilit synohet në 147% të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit.
Meloni, partia e së cilës ka shprehur qëndrime kundër euros në të kaluarën, po nxiton të qetësojë tregjet dhe partnerët se nëse bëhet kryeministre nuk do të sjellë një epokë konflikti me institucionet europiane.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.