Monitorimi i ndotjes nga nxjerrja e naftës – KPP urdhëron Albpetrol të ndryshojë kriteret e tenderit
Komisioni i Prokurimit Publik i kërkon kompanisë Albpetrol të ndryshojë kriteret e tenderit për monitorimin e ndotjes në zonat ku nxirret naftë. Ky dikaster ka pranuar ankesën e një operatori ekonomik për kritere përjashtuese dhe që bien ndesh me legjislacionin në fuqi.
Tenderi, ka si objekt gjetjen e një konsulenti për monitorimin e 7 lejeve mjedisore në vendburimet e Patosit, Fierit dhe Kuçovës, duke kryer matjet për shkarkimet në tokë, ujë dhe ajër në 80 pika monitorimi.
Por, sipas ankesës së depozituar në KPP nga “Tenuis Laboratories”, një sërë kriteresh të kërkuara nga Albeptrol cenojnë rëndë pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë dhe konkurrencën e lirë. Në vendimin e publikuar nga KPP argumentohet se kriteret e kualifikimit vendosen që t’i shërbejnë autoritetit kontraktor për të krijuar një panoramë të përgjithshme të kapaciteteve dhe mundësisë së operatorit ekonomik për përmbushje me sukses të kontratës.
Por, ato duhet të jenë në përputhje me objektin e prokurimit, natyrën, aftësinë zbatuese, vlerën si dhe volumin e kontratës, duke i dhënë të drejtë kompanisë ankimuese e duke urdhëruar Albeptrol t’i modifikojë.
Hapja e tenderit të Albpetrol erdhi vetëm pak kohë pasi emisioni investigativ “EkoSkaner”, në TV SCAN denoncoi faktin se institucionet nuk verifikojnë raportet e vetëmonitorimit që dorëzohen nga bizneset, duke mos patur asnjë të dhënë mbi ndotjen reale. Ndërkohë që, monitorime alternative të kryera përmes laboratorëve të certifikuar në zonë e Patos – Marinzës kanë nxjerrë në pah ndotjen tej normave të lejuara, të shkaktuar nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.