Moody’s “skanon” ekonominë e Greqisë – “Pak rrezik për ndryshimin e reformave dhe ato në politikën fiskale”
Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit “Moody’s” ka analizuar së fundmi ekonominë e Greqisë dhe rreziqet e pritshme për të. Agjencia e vendos skenën politike përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm mbi çështjet kryesore që do të ndikojnë në aftësinë kreditore të Greqisë, së bashku me borxhin dhe sektorin bankar.
Në frontin politik, ndryshimi në ligjin zgjedhor e bën të pamundur që një parti të fitojë një shumicë të plotë në zgjedhjet e përgjithshme të pranverës 2022, ose vende të mjaftueshme për të formuar një koalicion të qëndrueshëm qeverisës. Vlerësohet se mund të duhen disa javë, ose më shumë pas zgjedhjeve për të formuar një qeveri.
Megjithatë, “Moody’s” sheh një rrezik të ulët të një ndryshimi të kursit të reformave, ose një ndryshim thelbësor në politikat fiskale dhe ekonomike. Agjencia paralajmëron se, rreziku politik mbetet i lartë, pasi kreditorët kërkojnë që Greqia të vazhdojë të ndjekë politika të kujdesshme fiskale dhe të zbatojë reforma të mëtejshme institucionale dhe strukturore.
Për qëndrueshmërinë e rritjes ekonominë, të cilën e parashikon në 5.3% këtë vit, “Moody’s” paralajmëron se do të ngadalësohet ndjeshëm në 1.8% në vitin 2023 pasi çmimet e larta të energjisë shoqërohen me presione tek çmimet e mallrave të konsumit dhe dobësojnë fuqinë blerëse të familjeve. Faktorë strukturorë të tillë si popullsia me plakje të shpejtë do të vazhdojnë të pengojnë potencialin afatgjatë të rritjes së ekonomisë.
Çështja e tretë që shqetëson “Moody’s” është borxhi tepër i lartë i Greqisë. Megjithëse ka rënë në 193.3% të PBB-së në 2021, nga 206.3% në 2020, dhe parashikon që rritja nominale e PBB-së dhe suficitet primare nga viti 2023 e në vijim do të mbështesin reduktime të mëtejshme në 154% deri në vitin 2026, ajo thekson se do të mbetet ndër më të lartat në mbarë botën.
Rezervat e larta të parasë dhe një profil i favorshëm borxhi reduktojnë rreziqet e menjëhershme të likuiditetit, por ruajtja e besimit të kreditorëve është thelbësore për të siguruar qëndrueshmërinë e tij, thekson agjencia. Ngadalësimi i ndjeshëm i ekonomisë është rreziku kryesor për trajektoren e borxhit dhe jo rritja e normave të interest, apo lehtësimi fiskal.
Së fundi, për sa i përket sfidës tjetër të madhe për vlerësimin e Greqisë, gjendjen e sektorit bankar, “Moody’s” thekson progresin e bërë në uljen e raportit të kredive me probleme, që tashmë është 9.5%.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.