Ukraina aplikon për anëtarësim të përshpejtuar në NATO
Presidenti i Ukrainës Zelenskyj synon anëtarësimin me proces të përshpejtuar në NATO. Menjëherë pas aneksimit të katër territoreve nga Rusia, Ukraina aplikoi zyrtarisht për në NATO.
“Faktikisht ne e kemi përshkuar rrugën tonë në NATO”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj në një fjalim në video. “Sot Ukraina paraqet kërkesën, për ta realizuar këtë hap edhe de jure.”
Zelenskyj e argumentoi kërkesën e tij për një proces të përshpejtuar anëtarësimi me rëndësinë që ka Ukraina për mbrojtjen e shoqërive perëndimore. Por parimisht anëtarësimi në NATO është i mundur vetëm, nëse vendet kandidate nuk janë të përfshirë në konflikte dhe grindje ndërkombëtare për rrjedhën e kufijve.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg veprimin e fundit të Rusisë në luftën kundër Ukrainës e cilësoi si një përshkallëzim të rëndë që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt. “Ky është një moment vendimtar”, tha norvegjezi në Bruksel. Ai duke iu referuar kërcënimeve me armë bërthamore dhe aneksimit të padrejtë të territoreve ukrainase theksoi: “Asnjë nga këto veprime nuk tregon forcë. Por tregon vetëm dobësi.”
Lidhur me kërkesën e Ukrainës për pranim në aleancë Stoltenberg tha: “Ne vazhdimisht kemi theksuar, se porta e NATO-s mbetet e hapur”. Por njëkohësisht ai nënvizoi, se një vendim i tillë “kërkon unanimitet”. DW
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.