Sa do të paguhen policët bashkiakë nga Tetori? – Paga sipas numrit të banorëve dhe rritja sipas pozicionit
Punonjësit e policisë bashkiake pranë bashkive do të marrin shtesë në pagë duke filluar nga muaji Tetor. Por sa do të jetë shtesa dhe niveli i pagave për çdo pozicion? Sipas vendimit më të fundit të qeverisë, pagat përcaktohen sipas numrit të banorëve që kanë bashkitë ku dhe për njësitë e vogla vendore, jepen pagat më të ulëta.
Konkretisht kufiri më minimal fillon për punonjësit e policisë bashkiake në njësitë e vetëqeverisjes vendore me deri 20000 banorë, i cili regjistrohet në 38.500 lekë deri në 47.500. Shtesa për të dy kufinjtë varion nga 2500 në 3100 lekë në muaj. Punonjësit në bashkitë nga 20-50 mijë banorë kanë një nivel pagash nga 40.600- 49.200 lekë në muaj, me një shtesë nga 2-3 mijë lekë.
Pagesat në njësitë me 50001 deri në 100.000 banorë, pagat variojnë nga 42.800- 51.000 në muaj, me një shtesë nga 2800-3400 lekë në muaj. Punonjësit në bashkitë me 100001 deri në 200.000 banorë kanë një nivel pagash nga 44.400- 52.700 lekë në muaj, dhe ata nga 200001 deri në 400000 banorë dhe me mbi 400.000 banorë do të paguhen nga 47.000- 54.900 lekë/ muaj.
Ndërsa punonjësit e policisë bashkiake të Tiranës do të kenë pagan në nivelin 53.500 -63.000 muaj, me një shtesë mesatare në 3 mijë lekë në muaj. E njëjta ndarje bëhet edhe për pozicionet e tjera siç janë inspektorët e policisë bashkiake, ku pagat e tyre fillojnë nga 40.600 në bashkinë më të vogël, deri në kufirin maksimal prej 81.800 lekë në muaj në Bashkinë Tiranë.
Pagat e kryeinspektorëve fillojnë nga një minimum prej 53.000 në bashkitë e vogla, deri në kufirin maksimal prej 104.000 në Bashkinë e Tiranës.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.