Mosfunksioni i sistemit TIMS – Policia e Shtetit jep versionin zyrtar të problemit
Nëpërmjet një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare, Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me mosfunksionimin e sistemit TIMS.
Policia e Shtetit bën me dije se ndaj sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme, nuk ka ndodhur sulm kibernetik, por në kuadrin e përmirësimit dhe rritjes së performancës së sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme janë realizuar disa procese të parashikuara mirëmbajtjeje, të cilat ndërprenë shërbimin në interval të shkurtër kohor, në disa prej pikave kufitare, por pa sjellë pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve.
“Konfirmojmë se pas ndërhyrjes së shkurtër, mbrëmjen e djeshme, sistemi TIMS vijon të jetë funksional, në të gjitha pikat kufitare” shkruhet në njoftim.
Policia e Shtetit njofton gjithashtu se edhe në ditët në vijim, do të ketë ndërprerje me afat të shkurtër kohor, në pika të ndryshme kufitare, për shkak të ndërhyrjeve të brendshme, me qëllim përmirësimin e performancës së sistemit TIMS.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.