Nafta i rikthehet humbjeve pas tre ditësh – Tkurrja e furnizimit të tregut zbeh ngadalësimin e kërkesës
Nafta po qëndron në rënie në sesionin e sotëm, pas tre ditësh me radhë në rritje. Megjithatë, humbjet po kufizohen nga nga shtrëngimi i furnizimit të tregut dhe në anën tjetër hapësirat për prodhuesit e mëdhenj janë të kufizuara për të rritur kuotat e prodhimit.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 111 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 117 dollarë për fuçi. Të dy bençmarkët u rritën me më shumë se 2% në sesionin e kaluar, pasi shqetësimet për furnizimin e kufizuar të tregut kanë eklipsuar ngadalësimin e kërkesës, si pasojë e një recesioni të mundshëm. Në anën tjetër, marrëveshja e shtatë ekonomive më të industrializuara të botës për të vendosur një tavan mbi çmimin e naftës ruse ka dëmtuar besimin e tregut.
Analistët mendojnë se çmimet e naftës do të qëndrojnë pranë 110 dollarëve për fuçi, përderisa ekzistojnë shqetësimet për furnizimin e tregut. Gjithashtu, edhe sezoni i uraganeve në Shtetet e Bashkuara mund të dëmtojë prodhimin dhe për rrjedhojë të rrisë çmimet.
Referuar zhvillimeve të tjera, të ardhurat e vendeve të OPEC u rritën ndjeshëm, gjatë vitit 2021, për shkak të rimëkëmbjes së çmimeve nga pandemia. Sipas të dhënave jozyrtare në SHBA, rezervat e benzinës u rritën me 2.9 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 24 qershor, ndërsa rezervat e karburanteve të distiluara u rritën me 2.6 milionë fuçi.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.