Nafta, në rënie të lehtë – Mundësia për recesion global ushtron presion mbi çmimet
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, pasi investitorët janë të shqetësuar se inflacioni i lartë do ta çojë ekonominë globale drejt recesionit, që përkthehet në një kërkesë më të ulët për naftë. Në anën tjetër, heqja e kufizimeve të Covid-19 në Kinë mund të përmirësojë kërkesën në terma afatshkurtër.
Nafta Brent e Londrës ka rënie sërish pranë 92 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 84 dollarë për fuçi. Për të luftuar inflacionin, Rezerva Federale në SHBA po përpiqet të ngadalësojë ekonominë duke rritur normat e interesit.
Ndërkohë, Pekini zyrtar po konsideron reduktimin e periudhës së karantinës për vizitorët e huaj në 7 ditë nga 10 ditë që është aktualisht.
Kina, që është importuesja më e madhe e naftës bruto në botë, ka ndjekur deri më tani një politike strikte kundër Covid-19, e cila ka dëmtuar biznesin dhe aktivitetin ekonomik. Në anën tjetër, embargoja e bashkimit Europian ndaj naftës ruse dhe vendimi i OPEC+ për të ulur prodhimin me 2 milionë fuçi në ditë, po ofrojnë një mbështetje konstante për çmimet.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.