“Ngërçi” i borxheve të grumbulluesve shqiptarë – Propozimi: Kamatëvonesë për ata që nuk paguajnë fermerët e blegtorët!
Nëse grumbulluesi apo përpunuesi i prodhimeve bujqësore do t’ua vonojë pagesën fermerëve e blegtorëve, këta të fundit mund të aplikojnë kamatë vonesën në faturën përfundimtare që duhet paguar.
Kjo është ajo që synon një amendament i propozuar në Kuvend nga deputeti Erion Braçe.
Projektligji propozon disa shtesa në ligjin “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”, me qëllim rregullimin e çështjes së kryerjes me shumë vonesë të pagesave që rrjedhin nga transaksionet tregtare mes prodhuesve bujqësore dhe ndërmarrjeve tregtare që grumbullojnë, përpunojnë, eksportojnë produkte bujqësore.
“Ndryshimet e propozuara parashikojnë njohjen dhe përfshirjen edhe të prodhuesve bujqësorë si subjekte të ligjit, me qëllim zgjidhjen e një problematike që ka shqetësuar veprimtarinë e kësaj kategorie dhe që është mos shlyerja apo shlyerja me shumë vonesë e detyrimeve që ndërmarrjet tregtare kanë ndaj tyre” shkruhet në relacionin e nismës së depozituar tashmë në Kuvend.
Mos shlyerja në kohë e detyrimeve për prodhuesit bujqësore krijon jo vetëm një zinxhir të vonesave në pagesa, por ndikon drejtpërsëdrejti në ngadalësimin deri në pamundësi të vijimit të aktivitetit bujqësor e blegtoral në sezonet vijuese.
Përtej këtij fakti, përfshirja e prodhuesve bujqësore e blegtoralë në këtë ligj, sipas nismës, do të nxisë akoma edhe më shumë formalizimin e prodhuesve bujqësorë e blegtoralë si dhe formalizimin e çdo transaksioni në tregjet e këtyre produkteve.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.