OPEC+ pritet të ulë prodhimin e naftës – Gjithshka vendoset në takimin e së dielës
OPEC+ po punon për një marrëveshje komplekse që do të arrihet në takimin e së Dielës, e cila do t’i lejojë grupit të zgjasë disa nga shkurtimet e thella të prodhimit të naftës deri në vitin 2025. OPEC+ ka bërë një sërë shkurtimesh që nga fundi i vitit 2022 mes rritjes së prodhimit nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera joanëtare, ndërsa ekonomitë kryesore përballen me norma të larta interesi për të zbutur inflacionin.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës e udhëhequr nga Arabia Saudite dhe aleatët e udhëhequr nga Rusia, e njohur si OPEC+, aktualisht po redukton prodhimin me një total prej 5.86 milionë fuçi në ditë, e barabartë me rreth 5.7% të kërkesës globale.
Shkurtimet përfshijnë 3.66 milionë fuçi në ditë nga anëtarët e OPEC+ të vlefshme deri në fund të vitit 2024 dhe 2.2 milionë fuçi në ditë shkurtime vullnetare nga disa anëtarë që skadon në fund të qershorit.
Marrëveshja që pritet të arrihet të Dielën mund të përfshijë zgjatjen e disa ose të gjitha shkurtimeve prej 3.66 milionë fuçi në ditë në vitin 2025 dhe disa ose të gjitha shkurtimet vullnetare prej 2.2 milionë fuçi në ditë në tremujorin e tretë ose të katërt të 2024.
Grupi po përpiqet të bjerë dakord për kapacitetin e ri të prodhimit të naftës për vendet e tij anëtare deri në fund të vitit 2024, një çështje që ka krijuar tensione në të kaluarën, sepse objektivi i prodhimit të çdo vendi llogaritet bazuar në kapacitetin e tij imagjinar.
Vendet që kanë bërë shkurtime vullnetare që janë më të thella se ato të rënë dakord janë Algjeria, Iraku, Kazakistani, Kuvajti, Omani, Rusia, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.