Pagat në shtet kalojnë pragun 1 mijë euro në muaj – Rritje nga 1 korriku për disa kategori/ Indeksohen të gjitha pagat e tjera
Nga 1 korriku disa kategori punonjësish në administratën publike do të përfitojnë një rritje të ndjeshme të pagesës mujore, duke bërë që paga mesatare në shtet të arrijë në nivelin e 105 mijë lekëve/muaj. Qeveria ka miratuar vendimet për rritjen e pagave.
“Përmes zbatimit të kësaj politike paga mesatare në sektorin publik synohet të arrijë në 105 mijë lekë. Pagat e rritura fillojnë të aplikohen në 6 mujorin e dytë të vitit, pra duke filluar nga 1 korriku, me një kosto të përllogaritur prej afro 11 miliardë lekësh për ketë 6 mujor të dytë të vitit dhe me një kosto totale buxhetore prej afro 40 miliardë lekësh. Nga kjo politike përfitojnë: Punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar; Punonjësit e sistemit shëndetësor; Punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit; Policia e Shtetit; Policia e Burgjeve; Garda e Republikës; Forcat e Armatosura; Mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi Si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore”.
Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave ka vendosur që në vijim të indeksojë pagat në administratë sipas normës së inflacionit.
“Gjithashtu, me ndryshimet ligjore të miratuara, parashikohet të realizohet indeksimi i të gjitha pagave në administratën publike me normën e inflacionit në fuqi, indeksim që do të realizohet në vazhdimësi çdo dy vjet, duke filluar nga viti 2026”.
Kjo është faza e dytë të politikës së rritjes së pagave, nisur nga qeveria në vitin 2023, nga e cila përfitojnë rreth 135 mijë punonjës te administratës.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.