Pagesa pjesore për 93 kontrata të IPARD II – Kushtet kur AZHBR financon përpara finalizimit të projektit
Për t’iu përgjigjur nevojës dhe vështirësive financiare të fermerëve, agropërpunesve dhe turizmit rural për përthithjen dhe zbatimin e Programit IPARD II, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural do të aplikojë mekanizmin e financimit me pagesa pjesore të investimeve IPARD.
Konkretisht sipas AZHBR, janë 93 kontrata aktive, të cilët mund të përfitojnë nga financimi me pagesa pjesore sipas situacioneve të punimeve të ndërtimit apo rikonstruksionet. Ky financim ndihmon në përfundimin e investimeve në kohë.
Pagesa pjesore do të jetë e vlefshme edhe për kontratat e thirrjes III dhe IV të programit IPARD-II. Më pas AZHBR do të kryejë verifikime në terren për zërat e realizuar në investim, para realizimit të pagesës dhe pas realizimit të investimit do të kryhet pagesa e mbetur, sipas parashikimit në kontratës.
AZHBR bën me dije se pagesa pjesore e përfituesit cilësohet nga autoriteti kontraktues si shpenzim i pranueshëm, kur është realizuar minimalisht 60% e investimit lidhur me projektin që përmban punime ndërtimi/rikonstruksioni, e cila do ti nënshtrohet vendosjes së një garancie bankare ose ekuivalente me të.
Afati i vlefshmërisë së garancisë bankare është 6 muaj nga përfundimi i afatit të zbatimit të investimit sipas Kontratave individuale me përfituesit. Garancia e paraqitur do të kontrollohet për vlefshmërinë nga Agjencia IPARD me kërkesë të thjeshtë për institucionet që lëshojnë dokumentin.
Referuar AZHBR, në rast se subjekti ka përfituar nga pagesa paraprake, në llogaritjen e pagesës pjesore vlera e marrë me pagesë paraprake do të zbritet. Kjo procedurë do jetë e aplikueshme vetëm për përfituesit që janë kontraktuar dhe nuk kanë marrë një pagesë finale, të cilët do të ftohen për kryerjen e amendimit të kontratave si dhe aplikantët që do të kontraktohen në vijim nën IPARD II.
Dokumentat që praqiten pranë AZHBR janë: Kërkesë me shkrim për pagesën pjesore; -Faturat Origjinale për shpenzimet e ndodhura; Situacionet përkatëse për realizimin e punimeve; Libreza e masave; Garancia bankare ose garancia e sigurimit të Kontratës; Dokument identifikimi, i vlefshëm; Numri i Llogarisë bankare (IBAN) sipas Kontratës. Kjo provcedurë që synon pagesën në kohë të fondeve të alokuara nga BE si dhe rritjen e përthithjes e buxhetit për këtë Program.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.