Pas rritjes, indeksim çdo dy vite për pagat – Deputetja, Resulaj jep detajet. Për vendorët, diferenca do të jetë me 10%
Prej datës 1 korrik hyn në fuqi rritja e pagës për punonjësit e administratës publike. Janë mbi 83 mijë punonjës, përfshirë punonjësit e policisë, profesionistët e shëndetit, ushtarakët dhe arsimtarët të cilët do të përfitojnë nga shtesa e re.
Deputetja e Partisë Socialiste Pranvera Resulaj teksa dha detaje mbi kategoritë përfituese, tha se pas kësaj reforme, pagat për administratën publike do të indeksohen çdo dy vite.
Janë 14.720 specialistë të administratës që përfitojnë rritje 11% deri 16%. Po ashtu, 36.570 punonjës mësimorë për të cilët rritja shkon deri në 70%.
Shtesën më të lartë do ta kenë mësuesit në ciklin e ulët të shkollave 9-vjeçare me të cilët do të marrin një rritje e cila varion nga 26 800 lekë deri në 31 000 lekë.
Sakaq, për 15 858 mjekë të përgjithshëm dhe infermierë rritja do të jetë me 15 000 lekë deri 20 000 lekë, për punonjësit e policisë do të variojë nga 13 deri në 33% dhe për ushtarakët nga 4 deri në 22%.
Në total prej reformës së ndërmarrë në 2023 janë 135 mijë punonjës të administratës publike, që kanë përfituar nga rritja me një faturë financiare rreth 39 miliardë lekë.
Nga studio e emisionit “Box to Box” Resulaj u ndal edhe tek pagat e administratës lokale. Pas strukturimit që ka nisur, diferencat në nivelin e pagave do të jenë vetëm 10 për qind.
Ada Hazizolli/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.