Pensionistët, raporti me vendet e Europës – Kemi peshën më të ulët, por në 20 vite regjistruam rritjen më të madhe
Treguesit demografikë po ndryshojnë nga viti në vit dhe tendenca duket se është në favor të moshave të vjetra sipas të dhënave zyrtare. Të dhënat flasin për rënie të numrit të lindjeve dhe plakje të popullsisë së vendit, duke prodhuar kështu më shumë pensionistë, ndërkohë që në tremujorin e parë të këtj viti shtesa natyrore është kthyer negative.
Janë regjistruar 481 vdekje më shumë se sa lindje, ndërkohë në tremujorin e parë 2024 të gjitha qarqet e vendit kanë shënuar ulje të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e parë 2023. “Scan Intel” ka analizuar popullsinë sipas grupmoshave përgjatë viteve për të parë se si ka ndryshuar struktura e popullsisë në vend dhe mes shteteve të tjera të Europës.
Në vitin 2023, grupmosha 60 vjeç e lart zinte 23.5% të popullsisë gjithsej, nga 12% që zinte në vitin 2003. Shifrat tregojnë se harkun kohor të 20 viteve pesha që zë popullsia mbi 60 vjeç ka ardhur vazhdimisht në rritje.
Por si paraqitet ky tregues krahasuar me vendet e Europës? Pavarësisht tendencës, duket se Shqipëria po e vuan më pak plakjen e popullsisë se vendet e tjera. Pesha e popullsisë së grupmoshës mbi 60 vjeç në Bashkimin Europian vlerësohet në 28%.
Nëse analizojmë treguesin sipas shteteve shohim se Italia dhe Portugalia kanë peshën më të lartë të pensionistëve, me 31.1% dhe 30.9%. Bullgaria, Kroacia dhe Greqia po ashtu renditen mes vendeve të para. Në nivel rajoni, peshën më të lartë të pensionistëve e ka Serbia me 29.2% dhe më pas ndjek Maqedonia e Veriut me 24.4%.
Ndërkohë, Mali i Zi renditet poshtë Shqipërisë. Luksemburgu, Irlanda dhe Islanda kanë normën më të ulët të popullsisë mbi 60 vjeç. Por, pavarësisht se kemi peshën më të ulët, të dhënat tregojnë se renditemi në vend të parë me rritjen më të lartë të peshës së pesnionistëve kundrejt totalit të popullsisë. Në 20 vite pesha ndryshoi me 11.5 pikë përqindje.
Tendencë në rritje ka shfaqur edhe grupmosha mbi 80 vjeç. Po të shohim peshën e popullsisë mbi 80 vjeç, të dhënat tregojnë se në vitin 2003 pesha për këtë grupmoshë ishte 1.3% ndaj popullsisë gjithsej, ndërkohë në vitin 2023 ky tregues rezulton në 3.3%.
Krahasuar me vendet e tjera, Shqipëria renditet e pesta nga fundit, ndërkohë Italia dhe Gjermania kryesojnë sa i përket kësaj fashe moshore me një përqindje ndaj totalit në 7.6% dhe 7.2%.
Xhorxhina Deda/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.