Për herë të parë Italia ka në krye të qeverisë një grua – Giorgia Meloni betohet si kryeministre!
dhe njëkohësisht një ekstremiste të djathtë. Kryetarja e partisë së ekstremit të djathtë „Vëllezërit e Italisë”, Giorgia Meloni, të shtunën u betua si kryeministre e Italisë. Ajo u mandatua nga presidenti Sergio Mattarella në Romë me krijimin e qeverisë një ditë më parë. Pas kësaj Meloni paraqiti listën e kabinetit qeveritar. Të dielën do të kryhet dorëzimi i detyrës nga kryeministri, Mario Dragji tek Giorgia Meloni.
Ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër do të jetë euro-politikani Antonio Tajani nga partia konservatore Forza Italia (FI). Ministër i Ekonomisë do të jetë Giancarlo Giorgetti nga partia e së djathtës nacionale Lega. Giorgetti ishte gjithashtu edhe në qeverinë e paraardhësit të Melonit, Mario Draghi. Giorgetti konsiderohet si i moderuar dhe përfaqësues pro europian i Legas. Kryetari i Legas Matteo Salvini do të jetë ministër i Infrastrukturës dhe zëvendëskryeministër ashtu si edhe Tajani.
Meloni dhe ministrat e saj të shtunën bëjnë betimin, ndërsa javën e ardhshme është planifikuar votimi i qeverisë në parlament.
Krijimi i qeverisë së re kësaj here u relizua shpejt brenda më pak se një muaji pas zgjedhjeve, tha Mattarella. “Kjo ishte e mundur nisur nga rezultati i qartë i votimeve dhe po ashtu ishte e nevojshme në sfondin e gjendjes brenda vendit dhe situatës ndërkombëtare”, deklaroi presidenti 81 vjeçar.
Mattarella ditën e enjte nisi konsultimet me përfaqësuesit e parlamentit dhe të partive për krijimin e qeverisë së re. Në takimin me Mattarella të premten krahas Melonit ishin edhe ish-kryeministri Silvio Berlusconi i Forza Italia dhe Matteo Salvini nga Lega, të cilët krijojnë koalicionin qeverisës tripartiak nën drejtimin e Giorga Melonit.
Në zgjedhjet parlamentare në shtator këto tri parti siguruan shumicën absolute në të dyja dhomat e parlamentit. “Vëllezërit e Italisë” dolën partia më e fortë me 26 % të votave.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.