Planet e menaxhimit të zonave të mbrojtura – AKZM hap tenderët për Malin e Tomorrit dhe Liqenin e Shkodrës
Me një fond limit prej 25 mln lekë, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka hapur 2 tenderë për hartimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut Kombëtar “Mali i Tomorrit”, si dhe për Rezervatin Natyror të Menaxhuar “Liqeni i Shkodrës”.
Ndër të tjera, operatorët ekonomikë që do të hartojnë dokumentet do të duhet të përcaktojnë në formë të detajuar dhe të stukturuar të gjitha aktivitetet e mundshme eko – turistike të shoqëruara me një plan fizibiliteti që përfshin menaxhimi dhe financim.
Kjo duke marrë në konsideratë edhe faktin se shpesh herë projektet e ndërmarrë për t’u zhvilluar brenda zonave të mbrojtuara, bien në kundërshtim me aktivitetin e lejuar nga legjislacioni në fuqi, për shkak të ndikimit negativ që kanë në mjedis.
Ndërkaq, sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, nëpërmjet hartimit të Planeve të Menaxhimit synohet të realizohet ruajtja në gjendjen natyrore të ekosistemit natyror, sistemet ekologjike dhe karakteristikat natyrore të zonës.
“Pritet që planet e integruar të menaxhimit të shpien drejt zhvillimit të qëndrueshëm të territorit ku bëjnë pjesë zonat në studim, të kontrollit të zhvillimit, rritjes së mirëqënies së popullsisë vendase, punësimit, jetësës më të mirë dhe mbrojtjes së aseteve natyrore e mjedisit”, – thuhet ndër të tjera në dokumentet e tenderit.
Planet që do të hartohen duhet të jenë të shkruar në mënyrë të qartë që personeli i zonës së mbrojtur të jetë në gjendje të zbatojë me përpjekje minimale dhe kuptim maksimal.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.